Pikëkalimet në Merdar, Jarinje e Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura nga ana e Serbisë edhe të shtunën, sipas faqes së Ministrisë së Brendshme të Kosovës.
Pikëkalimet në Merdar dhe Bërnjak janë të mbyllura plotësisht, ndërsa ai në Jarinje është i mbyllur vetëm për ata me dokumente të Kosovës.
Bllokimi i pikëkalimeve nisi dje (e premte) në mbrëmje. Autoritetet e Kosovës i kanë bërë thirrje ndërkombëtarëve të reagojnë. Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të marrin masa ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. “Ai duhet të ndalet para se të hyjë në luftë”, ka shkruar Gërvalla në Twitter mbrëmjen e së premtes.
Bllokada ishte paralajmëruar nga “Këshilli për Bllokada i Serbisë” pasi Policia e Kosovës mbylli 5 zyra të strukturave paralele në veri me dyshimet për falsifikim me dokumente.
Në aksionin e 30 gushtit u mbyllën zyrat e katër komunave paralele: Mitrovicë, Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan, si dhe Zyra e Qarkut të Mitrovicës.
Të mërkurën e të enjten Policia ka intervistuar udhëheqësit e këtyre zyrave me dyshimet për falsifikim me dokumente.
Bashkësia ndërkombëtare ka kritikuar Qeverinë për këtë dhe për aksionet e tjera në veri, duke e ftuar të përmbahet “nga veprimet që mund të nxisin tensione”.
Pas paralajmërimit për bllokadë, institucionet e Kosovës u kanë bërë thirrje qytetarëve që ta evitojnë kalimin nga Serbia. Ministria e Punëve të Jashtme ka kërkuar nga qytetarët të shmangin kalimin transit nëpër pikëkalimet kufitare me Serbinë. E Qendra Kombëtare për Menaxhim të Kufirit ka bërë thirrje të enjten që kufiri të mos kalohet as në pikëkalimin e vetëm me Malin e Zi, Kullë.