KKryeministri Albin Kurti ka thënë se materiali arkivor i cili deri më tani është mbajtur nga komunat paralele e strukturat ilegale të Serbisë, pas përpunimit do të mund të përdoret për qëllime hulumtuese.
“Bashkëpunim efikas ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës. Materiali arkivor që në masë të madhe i takon periudhës 1943-2000, e që për gjithë këto vite është mbajtur ilegalisht nga komunat paralele dhe strukturat tjera ilegale të Serbisë, pas përpunimit nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës do të mund të përdoret për nevoja dhe qëllime hulumtuese”, ka shkruar Kurti në Facebbok, ku e ka shpërndarë edhe një njoftim të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës të bërë të mërkurën.
Agjencia ka njoftuar se sasi e konsiderueshme e materialit arkivor që mbahej ilegalisht nga strukturat paralele në komunat veriore të Kosovës është transferuar në Agjencinë Shtetërore të Arkivave.
“Sot, përfundoi transferimi/bashkimi i materialit arkivor–pjesë e fondeve arkivore të Arkivit Ndërkomunal të Mitrovicës/Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK), që mbahej ilegalisht nga strukturat paralele ilegale në komunat: Leposaviq, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut. Materiali arkivor është pranuar/dorëzuar nga Policia e Kosovës në përputhje me procedurat e parashikuara në Ligjin Nr.08/L – 111 për Arkivat dhe aktet nënligjore dhe është vendosur/deponuar në vendruajtjet e ASHAK –së”, thuhej në njoftim.
Tutje theksohej ne masë të madhe materiali arkivor i pranuar në Agjenci i takon viteve 1943 – 2000.
“Megjithatë ASHAK, në përputhje me nenin 13 (paragrafi 2) të Ligjit Nr.08/L–111 për Arkivat, nga Policia e Kosovës si fondposedues (komunat ilegale nuk kanë status as të fondkrijuesit dhe as të fondposeduesit për shkak të veprimtarisë ilegale), ka pranuar materiale të prodhuara nga aktiviteti i strukturave ilegale paralele në komunat veriore të cilat, megjithëse nuk kanë vlerë të dokumentacionit zyrtar marrë parasysh që janë krijuar në kundërshtim me rendin Kushtetues të Republikës së Kosovës, mund të shërbejnë si material për nevoja hulumtuese. ASHAK në përputhje me mandatin ligjor, pas përpunimit dhe trajtimit të këtij materiali, në bashkëpunim me institucionet kompetente të Republikës së Kosovës do të vendosë përfundimisht për formën e administrimit afatgjatë të këtij dokumentacioni”, thuhej në njoftim.
Bazuar në faktin se Ligji për Arkivat, nuk lejon më arkiv të qytetit, thuhej se ditëve në vazhdim Agjencia do të marrë masa që arkivat që për momentin funksionojnë me komunat, të barten/transferohen në strukturën e arkivave ndërkomunale sikurse i parashikon Ligji për Arkivat.