Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se kritikat ndërkombëtare për trajtimin nga qeveria e tij në raport me pakicën serbe në Kosovë ishin të tepërta.
Dhe ky koment, vlerëson një shkrim i Bloomberg, ka të ngjarë të shqetësojë mbështetësit perëndimorë që kanë bërë thirrje për përmbajtje, përcjell Telegrafi.
Siç shkruan mediumi në fjalë, lëvizjet e Prishtinës për të mbyllur institucionet e mbështetura nga Serbia dhe për të ndaluar përdorimin e dinarit serb kanë nxitur paralajmërime nga SHBA dhe Bashkimi Evropian se veprimet mund të përbëjnë një kërcënim për paqen e brishtë në Ballkan.
“Ata janë shumë të shqetësuar”, citohet të ketë thënë Kurti për Bloomberg në një intervistë gjatë vizitës së tij në Varshavë.
“Sa herë që ndërmarrim veprime, ka zëra alarmues për përshkallëzimin e mundshëm, por ja ku jemi — Kosova është më mirë se kurrë më parë”, ka thënë më tej ai.
Bloomberg vë në pah se në Kosovën veriore jeton pjesa më e madhe e komunitetit serb në Kosovë.
Veprimet, që përfshijnë mbylljen e degëve të bankave serbe në këtë pjesë, shkruan ky medium, pason një shkëmbim zjarri vitin e kaluar pranë një manastiri ortodoks në veri të Kosovës që la të vdekur një oficer policie të Kosovës dhe tre militantë serbë.
Por, Kurti mbrojti veprimet e tij si të nevojshme për të rivendosur ligjin dhe rendin në veriun e ndarë prej kohësh.
Ai gjithashtu këmbënguli se hapat janë të nevojshëm drejt vendosjes së kontrollit mbi zonat me shumicë serbe dhe integrimit të plotë të tyre në sistemet ligjore dhe financiare të Kosovës.
“Përshtypja ime është se pikërisht për shkak se ne jemi të suksesshëm, Beogradi është më nervoz dhe rrjedhimisht më agresiv”, thekson ai.
Bloomberg kujton se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka akuzuar vazhdimisht Kurtin se po i bën presion komunitetit serb për t’u larguar nga Kosova.
Ai kërkoi gjithashtu zbatimin e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga BE sipas së cilës komunitetit serb i lejohet njëfarë “autonomie”.
Veç këtyre, muajin e kaluar, Vuçiq i kërkoi qeverisë në Prishtinë që të mbajë zgjedhje lokale në komunat veriore.
Por ideja “nuk është e mundur të realizohet”, thotë Kurti.
“Votimi në komunat veriore do të bëhet vetëm gjatë zgjedhjeve në vjeshtën e vitit të ardhshëm”, tha ai.
“Vuçiq dështoi, dhe tani ai dëshiron që ne të paguajmë për dështimin e tij”, ka thënë më tej Kurti, duke shtuar se koha kur presidenti serb ka ndikim në punët e brendshme të Kosovës “ka kaluar prej kohësh”.
Në fund të shkrimit, Bloomberg thekson se sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga BE në 2013, serbët ranë dakord të merrnin pjesë në qeveritë lokale dhe qendrore në Kosovë, por u larguan në vitin 2021 për shkak të pretendimeve për diskriminim dhe që atëherë kanë bojkotuar dy votime.
Po sipas mediumit, arrestimet e serbëve vendas nga policia e Kosovës kanë rritur gjithashtu tensionet, ndërsa disa mijëra paqeruajtës të udhëhequr nga NATO mbeten në zonë.
Ndërkohë, thotë ky medium, për t’u kthyer në dialog, Kurti kërkoi nga Serbia dorëzimin e Milan Radoiçiqit, i cili mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur të vitit të kaluar pranë manastirit.
Ai i kërkoi gjithashtu BE-së të ushtrojë më shumë presion mbi Beogradin për të ndihmuar në “zbutjen e tensioneve” me një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.
“Është dashur të ndodh dje”, ka thënë Kurti. “Unë besoj se është e mundur”.