Fjalë Kyçe

“Kush qëndron më gjatë pa frymë”, drejtori i Arsimit në Kamenicë jep detaje si tentuan nxënësit ta lëndonin vetën të ndikuar nga sfida e “TikTok-ut”

“Kush qëndron më gjatë pa frymë”, drejtori i Arsimit në Kamenicë jep detaje si tentuan nxënësit ta lëndonin vetën të ndikuar nga sfida e “TikTok-ut”

Sfida e vetëlëndimit e nxitur nga disa video në “TikTok” ka prekur edhe nxënësit e shkollave fillore të mesme të ulëta në Kosovë.

Pas komunës së Gjakovës, raste të tilla u raportuan të premten edhe në komunën e Kamenicës.

Drejtori i Arsimit në këtë komunë, Afrim Dervishi në një prononcim për Telegrafin ka konfirmuar këtë rast.

Dervishi ka thënë se nxënësit e klasave 6, 8 dhe 9 kanë provuar një formë tjetër të vetëlëndimit, duke testuar se kush po qëndron më shumë pa frymë.

“Po ngjashëm me atë që ka ndodh në Gjakovë, por vetëm në një formë tjetër ka ndodhur edhe në komunën e Kamenicës konkretisht në shkollën fillore të mesme të ultë “Abdullah Krashnica-Presheva” në Koretin. Aty fëmijët kanë provuar me bo lojën kush po qëndron më shumë pa frymë, mirëpo ka pasur edhe ndërhyrje me dorë”, ka thënë Dervishi.

Ai ka shtuar se drejtoria e shkollës menjëherë ka marrë masa.

“Kjo e ka bërë të rrezikshme këtë lojë dhe drejtoria e shkollës ka marrë informatën, i ka thirr prindërit fëmijët e kanë konfirmuar dhe kjo ka ndodhur në oborrin e shkollës para fillimit të mësimit. Ideja e kësaj loje buron nga TikTok-u”, tha Dervishi.

Dervishi shtoi se kanë qenë diku shtatë nxënës që kanë provuar këtë lojë, por që fatmirësisht nuk ka pasur pasoja.

“Ka qenë një nxënësi klasës së gjashtë dhe të tjerët të kalesës së tetë dhe nëntë, diku shtatë nxënës gjithsejtë. Fatmirësisht nuk ka pasur pasoja, dhe uroj të mos ketë askund”, tha Dervishi.

Nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se rasti është lajmëruar të premten.

“Ju njoftoj se me datë 11.10.2024 rreth orës 14:00, Policia e Kosovës, Stacioni Policor Kamenicë është njoftuar nga Drejtoria e një shkolle të mesme të ultë në fshatin Koretin, komuna e Kamenicë se në këtë shkollë disa nxënës të klasave të teta dhe nënta kanë provuar të lëndojnë veten, dyshohet shkak sfida në rrjetin sociale në Tik-Tok”, ka thënë për Telegrafin, zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Ai ka shtuar se Policia e Kosovës njësia e hetimeve kanë dalë në vendin e ngjarjes.

“Në këtë rast nuk raportohet për të lënduar. Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që në lidhje me rastin të përpilohet një shënim zyrtar”, ka thënë Hashani.

Kujtojmë se javën e kaluar në Gjakovë janë zbuluar rreth 20 raste të vetëlëndimit të nxënësve nga kjo sfidë e rrezikshme e “TikTok-ut”. Raste të tilla ishin lajmëruar më parë edhe në Fushë Kosovë e Lipjan.