Real Madrid u përball me Lille në kuadër të rrethit të dytë në Ligën e Kampionëve, me ndeshjen e cila u zhvillua në Francë.
Ishte ekipi francez ata që shkaktuan befasinë duke fituar me rezultat minimal 1-0 për t’ia shkaktuar madrilenëve humbjen e parë në këtë format të ri të Ligës së Kampionëve.
Ndikim të madh në këtë fitore pati padyshim ylli kosovar Edon Zhegrova, i cili ishte përgjegjësi kryesor për penalltinë të cilën e fitoi ekipi i tij.
I saktë nga pika e bardhë më pas ishte treguar Jonathan David, i cili kishte shënuar për rezultatin 1-0 që në fund doli të ishte epilogu përfundimtar i këtij takimi.
Pas përfundimit të ndeshjes, tashmë është zbuluar nga Zhegrova se ylli i Real Madridit, Kylian Mbappe, ia ka dhuruar fanellën e tij të nënshkruar personalisht nga ai.
Këtë fotografi sot (e hënë) e ka postuar Zhegrova në rrjetet sociale, ku në të njëjtën kohë ka shprehur rastin që ta falënderojë francezin për këtë veprim.
Kujtojmë se Zhegrova këtë edicion është njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm të Lille, ku në kampionat ka arritur të shënojë tri gola dhe të bëjë një asistim në gjashtë ndeshje të luajtura.