Dy policë janë suspenduar për shkak të pretendimeve nga një qytetar i kombësisë serbe, M.S., se ishte keqtrajtuar nga zyrtarët policorë të shtunën në Mitrovicë të Veriut,
“Me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës, drejtori përgjithshëm i Policisë i ka suspenduar”, ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, për KOHËN.
Inspektorati pati njoftuar se qysh të shtunën, 26 tetor, ka nisur procesin e grumbullimit të informacioneve dhe hetimit preliminar lidhur me pretendimet për keqtrajtim nga policia.
“Hetuesit e IPK-së përmes një hetimi preliminar do të verifikojnë pretendimet për keqtrajtim të të njëjtit nga policia gjatë ndërmarrjes së veprimeve policore në këtë incident”, pati thënë IPK.
E, Policia pati thënë se rreth orës 3 të mëngjesit të së shtunës, personi kishte tentuar të dëmtonte gjëra e pajisje që ishin të rrethuara me rrjetë e që ishin pronë e një dyqani. Sipas saj, personi ka kaluar rrjetën dhe ka dëmtuar gjërat në pronën private.
Policia pati njoftuar më tej se policët i kishin kërkuar të ndalojë, por se kishte refuzuar dhe kishte ofenduar zyrtarët. Pas kësaj, ai është arrestuar dhe shoqëruar në stacion.
Ndaj tij ishte shqiptuar kundërvajtje për vandalizëm dhe më pas, sipas Policisë, ishte liruar.