Fjalë Kyçe

Ambasadori Orav përsërit thirrjen e Borrellit për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit

Ambasadori Orav përsërit thirrjen e Borrellit për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav pas takimit që bashkë me ambasadorët tjerë të vendeve të QUINT-it patën me Kryeministrin Kurti për sulmin e së premtes në kanalin e Ibër-Lepencit, ka përsëritur deklaratën e Shefit të Diplomacisë Evropiane, Josep Borrell, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Ai tha se qëndron pas asaj deklarate dhe se nuk do të përsëritet.

“Kryeministri pati rastin të na informojë për zhvillimet mbrëmjen e së premtes. Pra, nga ana e Bashkimit Evropian, Përfaqësuesi i Lartë Borrell ka bërë një deklaratë me zë të lartë dhe të qartë, dhe unë nuk do ta përsëris”, tha Orav.

Në një komunikatë në faqen zyrtare të shtunën, BE-ja tha se u ka ofruar mbështetje autoriteteve të Kosovës dhe vazhdon të koordinojë hapat e ardhshëm me partnerët përkatës, duke përfshirë këtu edhe KFOR-in.

BE gjithashtu ka thënë se misioni tyre për sundimin e ligjit EULEX po ofron ndihmë për autoritetet e Kosovës në përputhje me mandatin e tij.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se mesazhe solidariteti i ka përcjellë kryeministrit Albin Kurti sot pasdite.

“Ne qëndrojmë në solidaritet me të gjithë ata në mbarë Kosovën që janë prekur nga sulmi. Këto mesazhe solidariteti dhe mbështetje ia kam përcjellë drejtpërdrejt kryeministrit Albin Kurti pasditen e sotme”.

Blloku europian tha se autorët duhet të hetohen dhe të mbahen përgjegjës.

“Veprimi kriminal i kryer në Zubin Potok duhet të hetohet dhe autorët të sillen para drejtësisë. Në këtë aspekt, BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve të interesuara që të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet e Kosovës dhe do të vazhdojnë të ndjekin nga afër zhvillimet”.