Fjalë Kyçe

Këshilli Prokurorial e akuzon Kurtin për presion

Këshilli Prokurorial e akuzon Kurtin për presion

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit e kanë cilësuar ndërhyrje dhe presion të drejtpërdrejtë në punën e Prokurorisë dhe sistemit të drejtësisë, deklaratat e kryeministrit Albin Kurti një ditë më parë në foltoren e Kuvendit.

Kurti para deputetëve adresoi akuza ndaj kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, dhe prokurorisë për të cilët tha se s’po dëshirojnë të reformohen. Ai u shpreh se Qeveria s’mund ta bëjë edhe rolin e prokurorisë e gjyqësisë për të zbardhur rastet, tek ka përmendur atë të aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.

E të martën, KPK-ja dhe ZKPSH-ja kanë thënë se janë të detyruara të reagojnë ndaj Kurtit.

“Deklaratat e Kryeministrit për raste individuale, duke i interpretuar ato në mënyrën e tij dëshirore, pa i ditur faktet dhe duke e keqinformuar publikun në mënyrë të qëllimshme, lëndojnë ndjenjat e familjarëve të të ndjerëve, përbëjnë ndërhyrje dhe presion të drejtpërdrejtë në punën e Prokurorisë dhe cenojnë rëndë pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Një qasje e tillë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dëmton funksionimin e institucioneve demokratike dhe ka për qëllim minimin e reputacionit të Prokurorit të Shtetit në përpjekjet institucionale për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës dhe në vend që Kryeministri t’i mbështesë kërkesat buxhetore të sistemit prokurorial, ai zgjedhë rrugën e sulmeve ndaj institucioneve të Prokurorit të Shtetit”, thuhet në reagim.

Dy institucionet kanë kërkuar përmbajtje nga Kurti, Qeveria dhe deputetët e pushtetit.