Kryeministri Albin Kurti nuk është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale që të dëshmojë në cilësinë e dëshmitarit për një rast penal që po hetohet nga kjo Prokurori.
Arsyeja e mosparaqitjes së Kurtit në Prokurori Speciale është se kryeministri ndodhet jashtë vendit në një udhëtim zyrtar.
Kështu u shpreh para gazetarëve zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridonë Kozmaqi-Hajdaraj.
“Prokuroria Speciale përmes thirrjes së rregullt e ka ftuar kryeministrin Kurti në cilësinë e dëshmitarit në një rast penal që kjo Prokurori e ka në hetim. Nga kabineti i kryeministrit Kurti, Prokuroria Speciale është njoftuar se kryeministri gjendet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet sot në Prokurorinë Speciale”, tha Kozmaqi-Hajdaraj.
Ajo shtoi Prokuroria Speciale do të përgatis një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti.
“Konform ligjit Prokuroria Speciale do ta përgatitë një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti për një datë tjetër. Ky është i gjithë informacioni që mund ta ndajmë tani për tani”, tha Kozmaqi-Hajdaraj.
Ndryshe Prokuroria Speciale më datë 10 dhjetor 2024, i kishte dërguar ftesë zyrtare kryeministrit Albin Kurti për tu paraqitur sot në orën 09:30, në Prokurori dhe për të dhënë dëshminë e tij në një rast penal.
Dokumenti zyrtar thekson se mungesa e pajustifikuar për këtë thirrje mund të sjellë pasoja ligjore, përfshirë gjoba deri në 250 euro ose masën e shoqërimit me forcë nga autoritetet përkatëse.