Fjalë Kyçe

Hargreaves: KQZ-ja t’i ndjekë procedurat e duhura ligjore dhe jo interesat politike

Hargreaves: KQZ-ja t’i ndjekë procedurat e duhura ligjore dhe jo interesat politike

Jonathan Hargreaves, ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, ka bërë thirrje që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të aplikojë procedurat e duhura ligjore për certifikimin e Listës Serbe.

“I bëj thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të sigurohet që procesi zgjedhor të zhvillohet me integritet dhe mbi bazën e procedurave të duhura ligjore dhe jo të interesave politike. Ne presim që KQZ-ja dhe të gjithë anëtarët e saj të vlerësojnë certifikimin e Listës Serbe, sipas zbatimit gjithëpërfshirës dhe transparent të rregulloreve përkatëse”, ka shkruar ai në Facebook të martën.

KQZ-ja ka marrë vendim të hënën të mos e certifikojë Listën Serbe. Shkak për këtë janë vlerësuar thirrjet nacionaliste të kryetarit të Listës Serbe në Kosovë, Zllatan Ellek, të bëra gjatë prezantimit të listës zgjedhore.

Një ditë më parë, edhe Bashkimi Evropian tha për KOHËN se procesi i certifikimit “duhet të bazohet në standarde e procedura ligjore e jo në konsiderata politike”.