Kanë filluar të bien reshje të dendura të borës në qytetin e Gjilanit, mirëpo aktualisht rrugët mbesin të qarkullueshme.
Në një prononcim për Telegrafin, zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, tha se në fshatin Llabjan njësia ka kërkuar nga kompania për intervenim, mirëpo gjithsesi rrugët mbesin të kalueshme.
“Deri në këto momente, megjithëse me pak vështirësi rrugët mbesin të kalueshme dhe nuk ka ndonjë bllokadë. Në Llabjan, njësia ka kërkuar intervenim për shkak të infrastrukturës dhe aktualisht kompania është duke e kontrolluar situatën”, tha Osmani për Telegrafin.
Ai shtoi se në këto kushte atmosferike, ngasësit e veturës duhet të kenë kujdes të shtuar dhe t’i përdorin gomat e dimrit.
“Për shkak të festave dhe ardhjes së mërgimtarëve, trafiku është i rënduar dhe gjithësecili duhet të ketë kujdes të shtuar dhe gjithashtu duhet t’i përdorin pajisjet dimërore”, përfundoi ai.