Qytetarët janë ankuar për vështirësi në qarkullim për shkak të rrugëve të papastruara në Kosovë mëngjesin e së shtunës, pas reshjeve të dendura të borës.
Pamje nga rruga Prishtinë – Gjilan, Prishtinë – Ferizaj, Prishtinë-Pejë, nga kryeqyteti e të tjera, kanë treguar gjendjen e keqe në terren.
Ministria e Infrastrukturës megjithatë ka thënë se të gjitha rrugët janë të kalueshme.
“Ju njoftojmē se pas reshjeve tē fundit të borës, sipas informatave nga tereni nga menaxherët rajonal dhe të Autudhëve, gjendja e rrugëve është e kalueshme. Tē rrugët janë të qarkullueshme përpos në viset malore që duhet vozitur me kujdes të shtuar. Kompanitë kanë intervenuar gjatë tërë natës në pastrimin e rrugëve. Kërkojmë nga ana e vozitësve që të respektojnë rregullat e vozitjes gjatë kësaj kohe”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Komuna e Prishtinës ka njoftuar pas orës 11:00 se ekipet po punojnë për t’i bërë rrugët të kalueshme.
“Të gjitha ekipet përgjegjëse janë angazhuar intensivisht dhe po punojnë pa ndërprerje për të siguruar që rrugët të jenë të kalueshme! Megjithatë, reshjet e dendura të borës që po vazhdojnë pa ndërprerje po e vështirësojnë situatën në terren”, thuhet në njoftimin në faqen zyrtare të komunës.
Pamje ka publikuar edhe ish-ministri i Mjedisit, Fatmir Matoshi, i cili ka bërë thirrje për kujdes gjatë vozitjes.
“Rrugë të papastruara gjithandej”, ka shkruar ai në Facebook.
E, Policia e Kosovës po ashtu ka apeluar pjesëmarrësit në trafik për kujdes.
“Bazuar në situatën e tanishme ku kemi ndryshim të kushteve atmosferike dhe reshje të borës, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti shoferëve të automjeteve për kujdes të shtuar, përshtatje të shpejtësisë me kushtet atmosferike dhe me gjendjen e rrugës, mbajtje të distancës mes mjeteve si dhe ngadalësim gjatë lëvizjes në rrugë të mbuluara me borë dhe me ngrica”, thuhet në apelin e Policisë.