Partia Demokratike e Kosovës ka nisur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit me një tubim në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se më 9 shkurt qytetarët do të zgjedhin një qeveri të re me Bedri Hamzën e kësaj partie si kryeministër.
“Sot qëndroj para jush për t’ju siguruar se ne ofrojmë një plan konkret, një program të detajuar dhe gjithëpërfshirës, realist dhe të realizueshëm, i cili do të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve tanë. Për ta bërë Kosovën ma të fortë! Për ta bërë Kosovën ma të mirë! Kjo është arsyeja pse zgjodhëm Bedri Hamzën që të na prijë në këto zgjedhje, sepse Kosovës i duhen aftësitë, përvoja dhe personaliteti i Bedriut për të materializuar planin tonë transformues”, ka thënë Krasniqi.
Kryetari i PDK-së në fillim të fjalimit ka përshëndetur ish-udhëheqësit e PDK-së, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, që aktualisht janë në Hagë nën akuzat për krime lufte.
E kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se ndër prioritetet e tij është zhvillimi ekonomik.
“Vizioni im është për një Kosovë të fuqishme, që ka në themel hapjen e vendeve të reja të punës, ka edhe rritjen e pagave të sektorit privat përmes rritjes së mbështetjes për biznese me grante, investime dhe subvencione, me lehtësira fiskale dhe me qasje më të lehtë në financa”, ka thënë ai.
Hamza ka premtuar rritje pagash në publik për 50 për qind, të pensioneve bazike për 70 për qind e 50 për qind për pensionet e luftës.