Fjalë Kyçe

Barduani tregon arsyen e refuzimit të kërkesës për dislokimin e FSK-së në veri

Barduani tregon arsyen e refuzimit të kërkesës për dislokimin e FSK-së në veri

Komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, tha se kërkesën e dislokimit të FSK-së në veri të Kosovës pas sulmit në kanalin kryesor të Ibër-Lepencit, e refuzoi për shkak se nuk iu duk e nevojshme asistenca shtesë e saj.

Barduani tha se pas veprimeve të ndërmarra nga KFOR-i dhe Policia e Kosovës, mbështetja nga Forca e Sigurisë së Kosovës nuk ishte e nevojshme.

“Në përputhje me zotimin e vitit 2013, të nënshkruar midis institucioneve të Kosovës dhe NATO-s, institucionet në Kosovë duhet të kërkojnë aprovimin e komandantit të KFOR-it për çdo dislokim të mundshëm të njësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri të vendit. Në rastin e veçantë të sulmit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, pas vlerësimit tonë të sigurisë, dhe duke marr parasysh veprimet e ndërmarra nga KFOR-i dhe posaçërisht Policia e Kosovës, nuk pash nevojën në atë kohë për asistencë shtesë nga Forca e Sigurisë së Kosovës. Kjo është arsyeja pse unë e refuzova kërkesën”, tha komandanti i KFOR-it, për Klan Kosova.

Barduani ka thënë se me shefin e shtabit të forcave të armatosura serbe ka folur rreth rëndësisë së zbatimit të dialogut politik në zbutjen e tensioneve si dhe për sigurimin e stabilitetit afatgjatë.

“Si komandant i KFOR-it unë kam bisedime të rregullta me të gjithë homologut e mi, përfshirë shefin e shtabit të forcave të armatosura serbe, me të cilin u takova në tetor të vitit të kaluar, dhe me të cilin jam në kontakt të vazhdueshëm. Ne e kontaktojmë njëri-tjetrin kur kemi çështje specifike për të diskutuar. Diskutojmë një gamë të gjerë të temave, përfshirë sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”, tha komandanti i KFOR-it.

“Herën e fundit për shembull unë theksova rëndësinë strategjike të këtij rajoni dhe rolin kyç të dialogut politik në zbutjen e tensioneve, dhe sigurimin e stabilitetit afatgjatë”.

Sakaq, Barduani shtoi se KFOR-i monitoron çdo aktivitet përgjatë vijave kufitare të Kosovës.

“Ndërkohë, KFOR-i vazhdon të monitorojë çdo aktivitet përgjatë vijës kufitare administrative në përputhje me mandatin tonë nga OKB-ja, tha Barduani.