Javën tjetër do të fillojë gjykimi lidhur me rastin e vrases së Liridona Ademajt, e cila u vra më 29 nëntor të vitit 2023, në Bërrnicë të Prishtinës. Seanca fillestare ndaj të akuzuarve në këtë rast, Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt, do të mbahet më 27 janar.
Lajmin për Gazetën Online Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.
“Ju njoftojmë se seanca e shqyrtimit fillestar në çështjen penale ndaj të pandehurve N.M., G.P., K.K., dhe T.D. është caktuar të mbahet me datë 27 janar 2025, në ora 11.00”, ka deklaruar Gashi.
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë para një jave lidhur me këtë rast. Në konferencën për media që u mbajt më 15 janar, Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq, përmendi si një nga motivet për këtë vrasje marrëdhëniet jo të mira në çift mes Liridonës dhe ish-bashkëshortit të saj, Naim Murselit, gjatë kohës që jetonin në Suedi, që tha se kanë shkuar deri tek problemet pasurore.
“Mund të themi që përderisa kanë jetuar në Suedi, Liridona dhe Naimi, kanë pasur marrëdhënie të çrregulluara martesore dhe familjare gjatë të cilave ka ardhur edhe deri tek problemet pasurore, e për arsyet e tjera që i ka pasur Naimi që ta planifikojë dhe ta bëjë këtë vrasje, mund t’i kuptoni në Gjykatë”, ka deklaruar Prokurorja.
Ajo tha se edhe çështja e motivit e ka vonuar ngritjen e kësaj aktakuze.
“Duhet të sqarojmë përse ka kaluar një kohë e gjatë që nga ngritja e aktakuzës. Duhet të themi që provat materiale në këtë lëndë janë grumbulluar shumë shpejt, megjithatë se çka ka munguar, ka munguar motivi që ka shtyrë kryerësit për veprën. Meqenëse e ndjera ka jetuar një kohë të gjatë në Suedi dhe për këtë arsye organeve atje u jemi drejtuar që të na ofrojnë të dhëna dhe kemi marrë raportin në ato pyetje të cikat iu kemi parashtruar organeve kompetente atje dhe atëherë kemi mundur të gjejmë motivin që e ka shtyrë Murselin për likuidimin e Liridona Ademajt. Derisa nuk i kemi pasur këto të dhëna për të krijuar një pasqyrë për marrëdhëniet familjare në mes tyre, nuk kemi ngritur aktakuzën. Të gjithë të përfshirët kanë marrë pjesë aktive në përgatitjen e veprës penale dhe sigurimin e mjeteve për kryerjen e kësaj vepre”, tha prokurorja.
Liridona Ademaj u vra mbrëmjen e 29 nëntorit 2023, në hyrje të fshatit Bërrnicë të Prishtinës, teksa po kthehej në shtëpinë e saj me bashkëshortin dhe dy fëmijët. Ajo u qëllua me plumb në qafë
Rasti fillimisht ishte cilësuar si “Grabitje me pasoja të vrasjes”, duke u bazuar në rrëfimin e Naim Murselit.
Në raportin 24 orësh të Policisë, një ditë pas ngjarjes, thuhej se viktima ka qenë në veturë me bashkëshortin dhe dy fëmijët, kur një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe pastaj ka qëlluar me armë zjarri.
“GRABITJE ME PASOJA TË VRASJES – Rr. Dalip Alshiq, Prishtinë 29.11.2023 –20:26. Raportohet se viktima femër kosovare, derisa ka qenë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre me veturë, një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe është qëlluar me armë zjarri për vdekje. Lidhur me rastin është intervistuar bashkëshorti i saj, dëshmitari mashkull kosovar i cili kishte arritur të largohet nga vetura me dy fëmijët e tyre. Njësit relevante policore, prokurori dhe ndihma e shpejtë urgjente kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga mjeku është konstatuar vdekja e viktimës. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.
Më pas ditën kur u varros Liridona, Policia arrestoi Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën, si të dyshuar për involvim në këtë rast.
Murseli dyshohet se veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Plava për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe vepën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, derisa Kokalla për shkak të veprës penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë.”