Fjalë Kyçe

Paqartësi nëse ndalesa e ndihmave amerikane mund ta prekë edhe Kosovën

Paqartësi nëse ndalesa e ndihmave amerikane mund ta prekë edhe Kosovën

Organizata joqeveritare e biznese në shtete të shumta, përfshirë edhe Kosovën, po përcjellin me shqetësim planet e presidentit amerikan, Donald Trump, për pezullimin e ndihmave financiare për vendet e huaja. Vendimi vlerësohet se mund ta prekë edhe Kosovën. Nga Oda Ekonomike e Kosovës thonë se biznese të shumta financohen nga programe të USAID-it e organizatave të tjera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vetëm USAID-i vlerësohet se ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë në zhvillimin e Kosovës që nga viti 1999.

Planet e Uashingtonit për pezullimin e ndihmave financiare në të gjitha shtetet për 90 ditë, përveç Egjiptit e Izraelit, kanë ngritur shqetësime në gjithë botën. Vendimi i presidentit të sapo betuar, Donald Trump vlerësohet se do të afektojë edhe Kosovën, e sidomos bizneset.

“Të gjithë drejtuesit e departamenteve dhe agjencive me përgjegjësi për programet e ndihmës së huaj për zhvillim të Shteteve të Bashkuara do të ndalojnë menjëherë detyrimet dhe disbursimet e reja të fondeve të ndihmës zhvillimore për vendet e huaja dhe organizatat joqeveritare zbatuese, organizatat ndërkombëtare dhe kontraktorët në pritje të rishikimeve të këtyre programeve për efikasitet dhe konsistencë programore”, thuhet në vendimin i cili është në pritje të një vlerësimi nga administrata Trump.

Nga ndihmat financiare të SHBA-së vit pas viti kanë përfituar bizneset dhe qytetarët e Kosovës.

Andaj, nga Oda Ekonomike e Kosovës shpresojnë se pas vlerësimit të vendimit nga administrata Trump, Kosova të largohet nga lista e shteteve që do t’u ndalen ndihmat financiare.

Sipas njohësve të ekonomisë, ekzekutivi duhet të lobojë në mënyrë që këto ndalesa të mos jenë afatgjate.

Mirëpo nga presidenca e Kosovës ditë më parë kanë thënë për media se asnjë nga vendimet e Trump tani për tani nuk e afektojnë negativisht vendin.

Televizioni publik për këtë ka kërkuar informacione edhe nga Qeveria e Kosovës gjatë ditës, por nga e njëjta nuk janë përgjigjur.