Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka kritikuar premtimet e fushatave elektorale të politikanëve për rritje të pagave, duke i quajtur ato “parealizueshme” dhe “humbje kohe”.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Azemi theksoi se paga minimale në sektorin privat aktualisht është 264 euro e jo 350 siç ësht sipas ligjit.
“Fatkeqësisht merremi me fushata nga paslufta dhe këto më shumë se 80 për qind për neve janë çështje të parealizueshme, për neve janë si humor. Vetë fakti që në Kuvendin e Kosovës na kanë larguar 14 punëtore”, tha Azemi. “Fushatat janë një obligim ligjor por është një humbje e kohës është shpenzim i kohës dhe duke nisur nga e kaluara realizimi i premtimeve është fare e pa përmbushur”.
Azemi shtoi se shumë punëtorë në sektorin privat nuk kanë kontrata pune, nuk përfitojnë nga Trusti
Pensional dhe sigurimi shëndetësor, dhe se për këtë çështje asnjë qeveri nuk ka marrë masa të dukshme.
“Paga minimale në sektorin privat sot është 264 euro, Kurti vetëm ka nxjerrë një vendim sa për popullizëm, sepse kjo pagë nëse ka nevojë ne mund të adresojmë në emër secilën kompani që nuk e bënë zbatimin e kësaj page. Premtimet elektorale janë fushata, por po i përmendi disa, paga minimale në shtetin e Kosovës është 234 euro jo 350 qysh e ka premtuar në fillim të mandatit. Rreth 30 për qind të punëtorëve të sektorit privat i kemi pa kontrata punë. Rreth 50 për qind prej këtyre punëtore nuk kanë fare Trust pensional, punojnë dhe në fund nuk marrin asgjë nga Trusti. Rreth 70 për qind e punëtorëve të sektorit privat paga e tyre s’është deklaruar komfor pagës që e merr, 90 për qind të punëtorëve në sektorin privat nuk kanë sigurim shëndetësor. Të gjitha këto ish-qeveritë dhe kjo e fundit kanë premtuar mrekullia dhe nuk kanë bërë asgjë”, ka thënë ai për Ekonomia Online. “80 për qind të punëtorëve të sektorit privat të Kosovës nuk mbulojnë shpenzimet e tyre familjare me paga që i marrin”.
Ai kërkoi që punëtorët e sektorit privat të kenë më shumë benefite nga buxheti i Kosovës, dhe i bëri thirrje për realizimin e premtimeve reale.
“Ne e kemi obligim që të tregojmë se çdo qeveri në mandatin e tyre çfarë ka punuar përndryshe ne në asgjë rast nuk do të propozojmë që ta votojmë këtë apo atë, vet kurrizi i punëtorëve e dinë më mirë se a iu është lehtësuar gjatë kësaj qeverie apo jo, do të thotë a kanë pasur beneficione. Përderisa shumat e mjeteve që ne derdhim në buxhetin e Kosovës jashtëzakonisht sepse jemi 300 mijë punëtorë, dhe beneficionet janë ndarë për të tjerët por në asnjë rast për punëtorit e sektorit privat”, tha Azemi.