Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, ka njoftuar se nga 5 maji qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë në Izrael pa pasur nevojë për viza.
Në një shkrim në platformën X, Ziv ka njoftuar për ratifikimin e marrëveshjes për heqjen e vizave.
Vendimi u mor në javën kur u shënuan katër vjet nga njohja që Izraeli ia bëri shtetit të Kosovës.
“Gëzohem të njoftoj se Marrëveshja për heqjen e vizave u ratifikua në përvjetorin e katërt të Marrëdhënieve Diplomatike Izrael-Kosovë. Në javën kur shënojmë 4 vjet marrëdhënie diplomatike midis dy shteteve, Izraeli dhe Kosova ratifikuan marrëveshjen për heqjen e vizave. Që nga 5 maji 2025, qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë në Izrael si turistë pa pasur nevojë për vizë”, ka shkruar ajo.
Izraeli e ka njohur Kosovën më 1 shkurt 2021, pas Marrëveshjes së Washingtonit, apo siç njihet për normalizim ekonomik Kosovë-Serbi, në kohën e administratës së parë të Donald Trumpit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.