Partitë e reja tubim në mbështetje të SPAK: Politika e vjetër do ta shkrijë
Partitë e reja “Nisma Thurrje” dhe “Shqipëria Bëhet” dolën këtë të enjte në një tubim para Prokurorisë së Posaçme SPAK për të shfaqur mbështetjen kundrejt organit të akuzës.
Ata kanë duartrokitur arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe punën e bërë deri më tani nga SPAK.
“Ka ardhur momenti që ne të duartrokasim për drejtësinë e re. Do flasë kush të dojë, por dua që ta nisim me një duartrokitje për prokurorët e SPAK. Ne jemi bashkë kundër aleancës së qelbësirave. Ka 34 vite që ky popull vidhet e merret zvarrë.
Ne jemi padyshim bashkë kundër tyre. Tani u bashkua aleanca e qelbësirave kundër SPAK, Rama deri dje e bënte nën rrogoz, por Edi Rama doli qartazi kundër SPAK. Ai është një kryeministër në detyrë që në 48 orë po prish provat, ka shkuar në bashki në pushtet qendror. Pa dyshim keni përballë hajdutët, por keni pas popullin shqiptar”, tha Endri Shabani drejtuesi i “Nisma Thurrje”.
“Këtu ka një aleancë të ndyrë e të egër kundër ligjit. Ne jemi këtu për ti dhënë kurajo çdo njeriu të ligjit. Askush nuk duhet të ketë frikë nga ligji”, tha Adriatik Lapaj.