Fjalë Kyçe

Digjen disa lokale te Tregu i Gjelbër në Prishtinë

Digjen disa lokale te Tregu i Gjelbër në Prishtinë

Gjashtë lokale të vogla janë përfshirë nga zjarri mëngjesin e së enjtes te tregu i gjelbër në rrugën “Ilaz Ahushi”, në Prishtinë.

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Mal Gashi, ka thënë se është arritur të vihet nën kontroll zjarri për një periudhë të shkurtër.

“Në ora 05:45, është pranuar informata për zjarr në lokale te Tregu i Gjelbër. Ekipet menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes. Me të arritur është parë se zjarri kishte përfshirë gjashtë lokale. Është ndaluar përhapja e zjarrit dhe për një kohë të shkurtër është vendosur nën kontroll zjarri”, tha Gashi për KOHËN.

Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 05:40, kemi pranuar informatën për një zjarr që ka përfshirë disa lokale në rrugën ‘Ilaz Agushi’ në Prishtinë. Në vendngjarje kanë dalë zjarrfikësit dhe policia të cilët janë duke u marrë me rastin. Nuk raportohet për persona të lënduar”, thuhet në njoftim.