Fjalë Kyçe

Numërimi i votave nga diaspora pritet të fillojë këtë javë

Numërimi i votave nga diaspora pritet të fillojë këtë javë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vazhdon me skanimin e listave të votuesve të nënshkruar në 2,533 vendvotime të rregullta në ditën e zgjedhjeve dhe vetëm pas përfundimit të këtij procesi do të nis numërimi i votave të diasporës, votave me kusht dhe të personave me aftësi të kufizuara. Gjithashtu, sipas KQZ-së, është duke ndodhur verifikimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se numërimi i votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe atyre nga diaspora pritet të fillojë këtë javë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se këto votat do të nisin të numërohen pas përfundimit të të gjitha procedurave, siç janë: skanimi i listës së votuesve të nënshkruar në vendvotimet e rregullta, proces i cili ka filluar të shtunën.

Sipas tij, KQZ-ja është duke bërë vlerësimin e pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi përmes postës.

“Nga data 9 shkurt, kur ka filluar vlerësimi apo verifikimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës dhe deri më 22 shkurt, këtij procesi i janë nënshtruar 60,997 pako, prej të cilave janë aprovuar 56,947 ndërkaq janë refuzuar 4,050. Arsyeja se përse janë refuzuar këto dërgesa, është se ato janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës; u mungon dëftesa e regjistrimit; janë dërguar më shumë se një herë; kanë dërguar më shumë se një fletëvotim; etj. Procesit të vlerësimit do t’i nënshtrohen edhe 7,718 pako me fletëvotime”, ka thënë Elezi.

sipas tij, gjatë periudhës së regjistrimit, nga 104,924 shtetas të regjistruar për votim jashtë Kosovës, 84,600, ishin regjistruar për të votuar përmes postës dhe 20,324 të tjerë ishin regjistruar për votimin fizik në përfaqësitë diplomatike.

Nga 20,324 në përfaqësi diplomatike kanë votuar 15,352 votues, ndërkaq në votimin përmes postës KQZ ka pranuar rreth 69 mijë pako me fletëvotime.

Elezi ka theksuar se numri i zarfeve me fletëvotimeve nga vendvotimet me kusht është 12,801, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit, i cili përfshin krahasimin me listën e votuesve të nënshkruar në vendvotime të rregullta. Ndërkaq, numri i votave të personave me nevoja të veçanta është: 2,597 vota.