Ylli brazilian Neymar ka zbuluar një histori të veçantë nga e kaluara e tij, duke treguar se ka qenë shumë pranë kalimit te Bayern Munich, falë insistimit të trajnerit Pep Guardiola.
Në një rrëfim emocionues, Neymar tha: “Pothuajse shkova te Bayern… për shkak të Pep Guardiolës. Pasi fitova çmimin Puskás, babai im vazhdonte të më telefononte në orën 2 të mëngjesit. E hapa telefonin dhe ai më tha të hapja derën… Ishte babai im, Pep Guardiola dhe përkthyesi!”.
Ish-trajneri i Barcelonës ishte i vendosur për të transferuar yllin brazilian dhe i kishte bërë një ofertë të qartë: “Pep më tha: ‘Dua të të firmos dhe të të marr me vete, në cilindo klub që shkoj. Do të të bëj lojtarin më të mirë në botë’”.
Guardiola nuk u ndal vetëm me fjalë, por i paraqiti Neymarit një plan konkret për rolin e tij në skuadër: “Ai më tregon një letër, hap laptopin, më tregon se ku do të luaja… Pep gjithashtu tha: ‘Nëse nuk shënon 60 gola në një sezon, do ta ndryshoj emrin tim’”.
Dilema më e madhe për Neymarin mbeti ekipi ku Guardiola do të punonte. “Unë po mendoja… mirë, por në cilin ekip? Pep tha: ‘Nuk mund të ta tregoj ende sepse nuk është bërë publike’. E binda, dhe ai më tha: ‘Po firmos me Bayern. E di që është një qytet i ftohtë, por do të kujdesem për ty’”.
Në fund, pavarësisht joshjes së madhe nga Guardiola dhe projekti i tij ambicioz, Neymar vendosi të zgjedhë Barcelonën, ku shkëlqeu dhe formoi një treshe të frikshme me Lionel Messin dhe Luis Suárezin.
Ky rrëfim tregon edhe njëherë ndikimin e madh që Guardiola ka te lojtarët dhe sa afër ishte Neymar për t’u bërë pjesë e Bundesligës, në një histori që mund të kishte ndryshuar rrjedhën e karrierës së tij.