Policia e Kosovës ka arrestuar personin që u filmua duke shqyer librin e shenjtë të myslimanëve, Kur’anin.
I dyshuari, i identifikuar me inicialet I.P., është rreth 40 vjeç dhe akuzohet për veprën penale “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”, njofton Klankosova.tv.
Pas arrestimit, policia ka bastisur shtëpinë e tij në rajonin e Prizrenit.
Autoritetet kanë bërë të ditur se ai ka një të kaluar kriminale, përfshirë vrasje, dhunë në familje dhe kanosje. Gjithashtu, ai vuan nga një sëmundje psikike dhe ka qenë nën tretman psikiatrik obligativ.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.