Heshtje para seancës konstituive: A do ta mbështesin Qeverinë Kurti 3, Adem Hoxha, Duda Balje dhe Veton Berisha?
Edhe pak orë kanë mbetur deri në mbajtjen e seancës konstituive për formimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës dhe në kuadër të këtij procesi edhe formimi i Qeverisë së Kosovës.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar së fundmi disa takime me përfaqësues të partive të komuniteteve joshumicë që kanë siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës, me qëllim sigurimin e votave për formimin e Qeverisë së re, Kurti 3.
Me disa prej këtyre partive, Kurti ka arritur marrëveshje për bashkëpunim dhe mbështetje, ndërsa me disa të tjerë ende nuk është bërë e qartë nëse do të japin votën e tyre pro.
Telegrafi ka tentuar të marrë qëndrim nga disa prej përfaqësuesve të këtyre partive, përfshirë kryetarin e Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, deputetin e zgjedhur të Partisë Unike Gorane, Adem Hoxha, si dhe kryetaren e Listës së Bashkimit Demokratik, Duda Balje. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk ka qenë i qasshëm për koment.
Pas takimit që Kurti zhvilloi të hënën me Duda Baljen për kompromise në formimin e qeverisë, si duket ka ngritur pluhur tek zëvendëskryeministrja në detyrë, Emilja Rexhepi e cila ka ngritur dyshime nëse ende do të jetë krah Kurtit apo jo.
Telegrafi provoi që të marr një përgjigje nga Rexhepi, mirëpo e njëjta nuk iu përgjigj telefonatave.
Në anën tjetër, partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK kanë deklaruar qartë se nuk do të mbështesin formimin e Qeverisë Kurti 3.
Ndërkohë, në media është përfolur për një marrëveshje të mundshme mes Kurtit dhe kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, por ky i fundit i ka mohuar këto spekulime.