Komuna e Prishtinës të hënën ka rinisur punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, pavarësisht ndalimit që i është bërë nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore.
Prezent në nisjen e punimeve ka qenë kryetari i Prishtinës Përparim Rama, zyrtarë të Inspektoratit Komunal, e zyrtarë të Policisë së Kosovës.
Punimet në “Xhorxh Bush”, janë ndaluar dy herë radhazi.
Projekti i Komunës që peshon 18.4 milionë euro, nuk është miratuar nga organet e trashëgimisë kulturore.
Punimet janë ndaluar dy herë nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, përderisa Komunës i është kërkuar që lënda për pajisje me leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) të plotësohet.
Pika kryesore e mosmiratimit janë edhe ndërtesat e reja që parashihen me projekt.
Konstatimi se projekti cenon integritetin e monumenteve është po ashtu brenda shkresës që IKMM-ja ia ka përcjellë Komunës së Prishtinës të mërkurën. Të mërkurën janë rikthyer përplasjet politike midis qeverisë lokale dhe asaj qendrore.
Rama: E kemi Policinë dhe e çon Inspektoratin te shtëpia
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se punimet në sheshin “Xhorxh Bush” janë duke vazhduar pasi, sipas tij, ato janë brenda kornizave ligjore në çdo aspekt.
Ai ka theksuar se nëse Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore tenton ndalimin e tyre, atëherë do të intervenojë Policia.
“E kemi Policinë dhe e çon Inspektoratin te shtëpia. Ne punimet do t’i vazhdojmë”, ka thënë ai.
Teksti është duke u përditësuar…