Fjalë Kyçe

Kosova merr vendim t’i pranojë 50 emigrantë nga SHBA-ja

Kosova merr vendim t’i pranojë 50 emigrantë nga SHBA-ja

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se brenda një viti Kosova do t’i pranojë deri në 50 emigrantë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me qëllim të lehtësimit të kthimit të sigurt të tyre në vendin e prejardhjes.

Kurti ka shkruar në Facebook të mërkurën se përzgjedhja e tyre do të bëhet nga një listë e propozuar, për ata që i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe të rendit publik.

Ai ka shtuar se gjatë qëndrimit në Kosovë, këta persona do të veprojnë “në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara po sipas legjislacionit tonë në fuqi”.

Ky vendim u mor në mbledhjen e sotme të Qeverisë.

“Miratuar vendimin për ofrimin e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme për pesëdhjetë (50) persona, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Personat subjekt të këtij Vendimi, gjatë kohës së qëndrimit në Republikën e Kosovës, do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara me legjislacionin në fuqi”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Kurti shtoi se SHBA-ja mbetet aleat i palëkundur i Kosovës

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleat i yni palëkundur dhe Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i tyre. U jemi përherë mirënjohës për ndihmën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, dhe e vlerësojmë lartë mbështetjen në mbrojtje e zhvillim, e sidomos në rrugëtimin tonë drejt integrimit Euro-Atlantik”, ka thënë Kurti.