Fjalë Kyçe

MPJD njofton QUINT-in për arrestimin e shtetasit të Kosovës në Serbi

MPJD njofton QUINT-in për arrestimin e shtetasit të Kosovës në Serbi

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) tha se ka informuar misionet diplomatike të shteteve të QUINT-it të akredituara në Serbi dhe delegacionin e Bashkimit Evropian lidhur me arrestimin e një shtetasi të Kosovës nga autoritetet serbe.

Mediat në Serbi kanë raportuar se Lulzim Halili është arrestuar më 22 korrik, nën dyshime për krime lufte. Ai, sipas autoriteteve serbe, ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

MPJD tha se tha se përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd i është drejtuar me kërkesë zyrtare Serbisë për të konfirmuar zyrtarisht arrestimin e Halilit.

“Deri më tani, nuk kemi pranuar përgjigje nga pala serbe”, tha MPJD, sa i përket konfirmimit të arrestimit dhe informatave shtesë lidhur me këtë rast.

MPJD sqaroi se ka pranuar informacione mbrëmjen e 22 korrikut se Halili ishte ndaluar në afërsi të qytetit Svilajnac dhe ishte dërguar në stacionin policor. Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd, tha MPJD, ka tentuar që të konfirmojë arrestimin përmes kontaktit të stacionit policor, por zyrtari policor kujdestar ka refuzuar të ofrojë detaje për rastin.

“Sapo të konfirmohet nëse z. Halili do t’i nënshtrohet masës së paraburgimit dhe do të iniciohet procedurë penale ndaj tij, Zyra Ndërlidhëse do të parashtrojë kërkesë zyrtare për vizitë në Qendrën e Mbajtjes”, tha MPJD.

Kjo ministri u bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimet përmes territorit të Serbisë “për shkak të rrezikut të shtuar për ndalime dhe arrestime arbitrare nga autoritetet serbe”.

Më herët gjatë 23 korrikut, Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) tha se emri i Lulzim Halilit, nuk është gjetur në arkivat e veteranëve të luftës e as në listat e disa brigadave të UÇK-së.

Kështu tha për Radion Evropa e Lirë, nënkryetari i OVL UÇK, Gazmend Syla.

Mediat në Serbi kanë raportuar se Halili dyshohet për krime lufte kundër njerëzimit. Ai pretendohet se ka qenë i UÇK-së dhe ka vepruar në rajonet e Prishtinës, Pejës dhe Gjakovës, si dhe pretendohet se ka marrë pjesë në një sulm ndaj një posti ushtarak jugosllav në Koshare.