Prokuroria Speciale dhe Millosh Antoviq, i akuzuar për sulm ndaj KFOR-it, kanë arritur marrëveshje për pranim të fajësisë.
Sipas aktakuzës së dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Antoviq akuzohet për katër vepra penale: “Sulm ndaj personit zyrtar”, “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale – huliganizëm”,
“Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve” dhe “Posedim i paautorizuar i armëve”.
Ndaj Antoviqit, i njohur me nofkën “Xhaja”, u ngrit aktakuzë më 30 korrik të këtij viti. Ai gjendet në paraburgim që nga 15 prilli.
Antoviq ka thënë para gjykatësit se është i vetëdijshëm që me anë të marrëveshjes me prokurorinë e ka pranuar fajësinë dhe ka hequr dorë nga e drejta për gjykim të rregullt, për thirrjen e dëshmitarëve e prezantim të provave.
Antoviq akuzohet për sulmin më 29 maj të vitit 2023 në Zveçan, ku u lënduan disa ushtarë të KFOR-it dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
“I akuzuari pajtohet ta pranojë fajësinë për sulm ndaj personit zyrtar, pjesëmarrje në turmën që kryen vepra penale dhe huliganizëm, për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge si dhe veprën penale mbajtjen në pronës të paautorizuar të armës”, ka thënë prokurori Bekim Kodraliu.
Mbrojtja ka thënë se me dënimin me 5 vjet burgim dhe gjobë 20 mijë euro përmbushet qëllimi i dënimit. Avokati i Antoviqit ka propozuar që gjoba me të holla të paguhet me këste.
Njëjtë ka propozuar edhe prokuroria që të shqiptohet dënim unik prej 5 vjetësh burgim dhe gjobë 20 mijë euro.
“Propozojmë që të pandehurit t’i shqiptohet dënim unik prej 5 vjetësh burgim efektiv dhe gjobë prej 20 mijë eurosh, duke llogaritur edhe kohën në paraburgim dhe masa e paraburgimit të mos i ndërpritet deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit”, tha prokurori Kodraliu.
Gjykata ka marrë aktvendim, duke u pajtuar me marrëveshjen e arritur dhe pranimin e fajësisë.