Fjalë Kyçe

Biserko: Rënia e Dodikut sinjalizon fundin e projektit “Bota Serbe”

Biserko: Rënia e Dodikut sinjalizon fundin e projektit “Bota Serbe”

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Sonja Biserko, ka vlerësuar se dënimi i Milorad Dodikut përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e integritetit të gjyqësorit në Bosnjë e Hercegovinë.

Sipas saj, mbështetja e Bashkimit Evropian dhe e Britanisë së Madhe për vendimin e gjykatës tregon qartë se komuniteti ndërkombëtar pret zbatim të plotë të vendimeve gjyqësore nga institucionet dhe aktorët politikë në Bosnje e Hercegovinë.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka refuzuar ta njohë këtë vendim, duke treguar edhe një herë se nuk e konsideron Bosnjë e Hercegovinën si shtet sovran. Rënia politike e Milorad Dodikut paralajmëron edhe fundin e projektit të dështuar ‘Bota Serbe’, që ka bllokuar për vite me radhë jo vetëm funksionimin e Bosnjës, por edhe stabilitetin e të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor,” deklaroi Biserko për gazetën Danas.
Ajo shton se qëndrimi i Vuçiqit lidhet edhe me zhvillimet aktuale në Serbi dhe mund të interpretohet si përpjekje për të shmangur një skenar të ngjashëm në vendin e tij, që do të rrezikonte seriozisht të ardhmen e tij politike.

Lexo po ashtuQKRMT mirëpret aktgjykimin dënues ndaj Rajkoviqit dhe DeniqitNë këtë kontekst, Biserko përmend edhe vendimin e prokurorit për krimin e organizuar, Mladen Nenadiq, i cili urdhëroi arrestimin e disa bashkëpunëtorëve të afërt të presidentit Vuçiq.

“Edhe pse dinamika brenda prokurorisë ende nuk është plotësisht e qartë, është e dukshme se po ndodh një ndarje edhe brenda rrethit më të ngushtë të pushtetit, mbi të cilin Vuçiq ka pasur kontroll pothuajse absolut deri më tani,” tha ajo.