Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka urdhëruar Inspektoratin Policor të Kosovës që të angazhohet në hetimin e çdo lëshimi apo përfshirjeje të mundshme të ndonjë pjesëtari të Policisë së Kosovës në veprimtarinë kriminale të Mefail Shkodrës, i shpallur në kërkim për vrasjen e trefishtë në Gjilan.
Këtë e bëri të ditur vetë Sveçla të hënën përmes një postimi në Facebook, duke thënë se në çdo deklarim publik dhe në çdo takim me mekanizmat që ai drejton, ka kërkuar angazhimin maksimal të të gjitha strukturave për garantimin e integritetit personal dhe profesional të çdo shërbyesi publik në vend.
“Vazhdoj të jem i pakompromis në këtë drejtim dhe mbështes çdo formë të koordinimit ndërinstitucional që siguron institucione kredibile, të besueshme dhe plotësisht në shërbim të qytetarëve tanë”, ka shkruar ai.
Sveçla ka shtuar se askush nuk është i paprekshëm apo i pandëshkueshëm veçanërisht brenda një institucioni që ka për mandat parandalimin, hetimin dhe luftimin e çdo veprimtarie ilegale.
“Pres që me të njëjtën vendosmëri të veprojnë edhe hallkat tjera të sistemit, veçanërisht drejtësinë, në mënyrë që qytetarët tanë të jetojnë dhe të zhvillohen në një Republikë ku sundojnë siguria, rendi dhe ligji”, ka shtuar ai.