Fjalë Kyçe

Publikohet aktgjykimi i plotë i Kushtetueses për bllokadën në Kuvend

Publikohet aktgjykimi i plotë i Kushtetueses për bllokadën në Kuvend

Gjykata Kushtuese e Kosovës ka publikuar të hënën aktgjykimin e plotë lidhur me bllokadën në Kuvend.

Aktgjykimi i publikuar është ndaj kërkesave të bëra nga PDK-ja dhe LDK-ja.

Në vendimin e publikuar më 8 gusht Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur dhe brenda 30 ditëve. Në njoftimin e publikuar të premten thuhet se Kushtetuesja ka përcaktuar që kandidati i njëjtë mund të votohet vetëm deri në 3 herë dhe se të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim.

Kushtetuesja ka konstatuar se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme.

Po ashtu sipas njoftimit, Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës. Gjykata ka urdhëruar kryesuesin që nga seanca e radhës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës – procedimi i votimit të kryeparlamentarit.

Masa e përkohshme ishte mbajtur në fuqi deri në publikimin e aktgjykimit – që u bë sot – dhe publikimit të tij në Gazetën Zyrtare.

Nga 15 prilli deri më 26 korrik, deputetët mbajtën 54 vazhdime të seancës konstituive, por dështuan. Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndryshoi rendin e ditës, duke shmangur votimin e hapur dhe duke kërkuar formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar. Kjo u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtar për këtë komision.

“Tashmë, me publikimin e aktgjykimit të plotë – sapo i njëjti të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare (mbase deri nesër më së largu), duhet të thirret seanca e radhës e Kuvendit”, ka shkruar në Facebook, Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Vendimi i Kushtetueses:

PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 113 të Kushtetutës, nenin 20 të Ligjit, dhe
rregullat 46 (4) dhe 48 (1) (a) dhe 72 të Rregullores së punës, më 7 gusht 2025, vendosi:
I. TË DEKLAROJË, njëzëri, kërkesën të pranueshme;
II. TË KONSTATOJË, njëzëri, që deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së
Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës
Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, dhe rrjedhimisht të
gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të
pavlefshme;
III. TË KONSTATOJË, njëzëri, që Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit të
Republikës së Kosovës, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës
Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025
dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 116
[Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
IV. TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër, Kryesuesin e Seancës
Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit
të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim me
paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës
së Republikës së Kosovës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar
për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së
Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votim i cili mund të
realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë;
V. TË URDHËROJË, njëzëri të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës
së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit],
nenin 7 [Vlerat] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës
së Kosovës gjatë procedurës së zgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të
Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë të pranishëm dhe të votojnë;
42
VI. TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër deputetët e zgjedhur
të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafët 2, 3 dhe 4 të nenit
67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së
Kosovës të zgjedhin Kryetarin/en dhe nënkryetarët e Kuvendit të Republikës së
Kosovës sipas pikave 3 dhe 4 të rendit të ditës të Seancës Konstituive brenda 30
(tridhjetë) ditëve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi;
VII. TË VAZHDOJË, njëzëri, masën e përkohshme të vendosur më 24 korrik 2025 deri
në hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi;
VIII. T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;
IX. TA PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në
pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën
Kushtetuese të Republikës së Kosovës;
X. TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe njoftimit të palëve.