Prokuroria Themelore e Gjakovës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj V.K, i cili dyshohet për therjen me thikë të R.B, në një kafiteri në Gjakovë, shkruan Reporteri.net.
Sipas Prokurorisë, kjo kishte ndodhur pas një mosmarrëveshje.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet V.K., më datë 14.09.2025 rreth orës 11:00, në rrugën “Washington” Gjakovë, saktësisht në pjesën e jashtme të kafiterisë “C.P.” me dashje ka tentuar të privoj nga jeta të dëmtuarin R.B., në atë mënyrë që ditën dhe momentin kritik i pandehuri pas një mosmarrëveshje me të dëmtuarin, me mjetë të mprehtë – thikë, që e posedonte me vete e sulmon të dëmtuarin duke e goditur tri herë në pjesët vitale të trupit, respektivisht dy herë në stomak dhe në dorë”, thuhet në njoftim.
Prokuroria bën të ditur se si pasojë e lëndimeve të pësuara nga goditjet me thikë, i dëmtuari menjëherë u dërgua në emergjencën e Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë dhe më pas për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore u dërgua në QKUK për trajtim mjekësor.
Me këto veprime, V.K., dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasja në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal.
Prokuroria thekson se i pandehuri që nga data 14 shtator 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh.