Fjalë Kyçe

Alarm në “Viva Fresh” në Mitrovicë – sigurimi përdor sprej paralizues ndaj një gjarpri, përfundojnë në spital dy punëtore

Alarm në “Viva Fresh” në Mitrovicë – sigurimi përdor sprej paralizues ndaj një gjarpri, përfundojnë në spital dy punëtore

Një incident i pazakontë ka ndodhur në një market “Viva Fresh” në fshatin Shupkovc të Mitrovicës, ku dy punëtore kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi sigurimi i marketit përdori sprej paralizues ushtarak ndaj një gjarpri që kishte hyrë në lokal, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.

Ngjarja ka ndodhur më 7 maj 2026 rreth orës 18:00.

Sipas informatave, i dyshuari Agim Sylaj (41 vjeç), i cili punonte si sigurim në market, kishte vërejtur një gjarpër brenda lokalit.

Burimet bëjnë të ditur se në përpjekje për ta larguar, ai kishte përdorur sprej ushtarak të tipit “Nato Super Paralizant”, duke e hedhur në ambientin e marketit.

Si pasojë e sprejit, dy punëtore të marketit E.U. dhe R. Z. (27 vjeç), kanë pësuar probleme shëndetësore dhe janë detyruar të kërkojnë tretman mjekësor.

Sinjali mëson se njëra nga punëtoret ishte shtatzënë në momentin e incidentit.

Në vendngjarje ka ndërhyrë Policia, e cila ka sekuestruar sprejin në cilësinë e provës materiale.

Pas intervistimit, me rekomandim të Prokurorit kujdestar, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti po hetohet për:

“Mbajtje në pronësi, posedim, kontroll apo shfrytëzim të paautorizuar të armës”
dhe “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.