Me afrimin e fillimit të vitit të ri shkollor, në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë është ngritur shqetësimi për cilësinë e ujit të pijshëm, pasi banorët pretendojnë se gjatë periudhës së vjeshtës në këtë zonë ndër vite janë shfaqur probleme me cilësinë e ujit.
Drejtori i shkollës “Pavarësia”, Halil Brahaj, ka thënë se institucioni nuk ka pranuar deri më tani ndonjë njoftim zyrtar se uji nuk është i përshtatshëm për konsum.
“Ne nuk kemi kurrfarë njoftimi zyrtar që uji nuk do të pihej. Madje, duke parë edhe ueb-sajtin e KRU Prishtinës, uji në këtë lagje nuk figuron si i papërdorshëm”, ka deklaruar Brahaj.
Megjithatë, ai ka bërë të ditur se shkolla ka kontaktuar zyrtarisht KRU Prishtinën, pasi ka pranuar informacione jozyrtare lidhur me rritjen e nivelit të manganit.
“Kemi informata jozyrtare se uji është i papijshëm dhe kërkojmë që të merren masat e duhura”, ka thënë drejtori.
Brahaj ka kujtuar se një situatë e ngjashme ishte paraqitur edhe një vit më parë, kur shkolla kishte kërkuar ndihmë për sigurimin e ujit të pijshëm për nxënësit.
“Nëse veçse do të jetë kështu situata, atëherë mbase do të duhej me kërku edhe Komunës, edhe kompanisë rajonale të ujësjellësit, por edhe kompanive apo fabrikave të ujit që të na sjellin ujë për pije për nxënësit”, është shprehur ai.
Në anën tjetër, zëdhënësja e KRU Prishtinës, Arjeta Mjeku, ka mohuar se deri më tani ka pasur ndonjë njoftim zyrtar për papërshtatshmërinë e ujit në këtë zonë.
Në prag të vitit të ri shkollor, kërkohet ujë i pijshëm për nxënësit e Shkollës “Pavarësia” në Prishtinë
“As Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina dhe as Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës nuk kanë dalë me ndonjë njoftim apo deklaratë. Është obligim ligjor që, nëse ka mangan, të dalim me atë njoftim”, ka deklaruar Mjeku.
Ajo ka pranuar se në vitet e kaluara ka pasur raste të rritjes së nivelit të manganit në liqenin e Badovcit, por ka theksuar se kompania ka ndërmarrë masa sa herë që është paraqitur një situatë e tillë.
“Manganë kemi pasur viteve paraprake. Ka pasur rritje të nivelit të manganit në liqenin e Badovcit. Çdoherë e kemi ndërprerë furnizimin me ujë apo e kemi zvogëluar prodhimin e ujit, në mënyrë që uji që shkon për konsumatorë të jetë i përshtatshëm për konsum njerëzor”, ka thënë ajo.
Sipas Mjekut, pas marrjes së informacioneve për shqetësimet e qytetarëve, KRU Prishtina ka marrë mostra të ujit në shkollën “Pavarësia” dhe në zonat përreth.
“Kur kemi marrë këtë informacion, kemi dalë dhe kemi marrë disa mostra edhe në shkollën ‘Pavarësia’, edhe rreth lagjeve. Të gjitha sot në orën dhjetë kanë dalë 100 për qind konform standardeve evropiane. Domethënë, uji në atë zonë është i përshtatshëm për konsum njerëzor”, ka deklaruar Mjeku.
Për këtë çështje është kontaktuar edhe Drejtoria e Arsimit për të marrë një përgjigje lidhur me rastin, por deri në publikimin e këtij raportimi nuk është pranuar përgjigje.
Mbetet të shihet nëse shqetësimet për cilësinë e ujit do të përsëriten me fillimin e vitit të ri shkollor. /Telegrafi/