Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka akuzuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për deklarata të pavërteta, teksa ka aluduar se prapa negociatave për çështjen e presidentit po “fshihet një hall i madh”, duke e përmendur edhe çështjen e energjisë elektrike.
Në një shkrim në Facebook, ajo ka komentuar deklaratat e Abdixhikut tek është shprehur se Ymeri i ka thënë që “nuk ndien për partinë”.
“Nga sot, në videot propagandistike të Vetëvendosjes do të shihni edhe deklaratat e z. Abdixhiku duke sulmuar deputetët e tij, ndonëse ky i fundit është kryetar i LDK-së dhe jo i Vetëvendosjes. Përveç sulmeve, ka edhe veshje të deklaratave tërësisht të pavërteta, në këtë rast për mua. E para, ferizajasit nuk flasin me “s’nDi”… kush më njeh e di se si flas. E dyta, as që i kam përmendur Këshillin, Kryesinë apo Kuvendin, e aq më pak të kem thënë se nuk i respektoj. Si mund të thoja diçka të tillë, kur vetë jam pjesë e Këshillit të Përgjithshëm? Përkundrazi, kam shprehur kundërshtimin tim për kandidaturën presidenciale, për shkak se jam deklaruar që para zgjedhjeve kundër votës për VV-në, por edhe për shkak të profilit të kandidatit. Për më tepër, e kam përmbyllur deklaratën duke thënë se i kam parasysh pasojat nga organet e partisë dhe i respektoj ato, por ky mbetet qëndrimi im”, ka shkruar ajo në Facebook të enjten.
Ymeri është pjesë e gjashtë deputetëve të LDK-së që dolën kundër marrëveshjes së partisë me Vetëvendosjen për të kandiduar Bekim Sejdiun për president. Këta deputetë kundërshtues thanë se nuk duan zgjatjen e pushtetit për Albin Kurtin e VV-së. Pa votat e tyre, detyrohet zgjerimi i marrëveshjes me parti të tjera për të siguruar kuorumin e nevojshëm në Kuvend.
Refuzimi i tyre ka nxitur tensione të reja në LDK. Abdixhiku i ka kritikuar ashpër këta deputetë teksa ka paralajmëruar edhe masa.
Për deklaratat dhe negociatat e Abdixhikut, Ymeri ka thënë se “po fshihet një hall i madh”.