Fjalë Kyçe

Raphinha pas humbjes nga PSG-ja: E dëshmuam se mund të konkurrojmë

Raphinha pas humbjes nga PSG-ja: E dëshmuam se mund të konkurrojmë

Kapiteni i Barcelonës, Raphinha, e ka pranuar humbjen 4-2 ndaj Paris Saint-Germainit në Ligën e Kampionëve, por ka theksuar se skuadra katalanase tregoi se mund të përballet me kampionët e Evropës.

“E dinim se kjo mund të ndodhte. Po luanim kundër dy herë kampionëve të Evropës, të cilët janë shumë të fortë sidomos para tifozëve të tyre”, deklaroi braziliani pas ndeshjes, përcjell “Gazeta Express”.

Raphinha e pranoi se Barcelona e synonte fitoren ose të paktën një pikë, por theksoi se skuadra duhet të mësojë nga kjo ndeshje dhe të përgatitet për përballjen e radhës ndaj Real Madridit.

“Pavarësisht rezultatit, kemi konkurruar mirë. Të dyja skuadrat na pëlqen ta kemi topin në zotërim. Ishte një test i mirë dhe dëshmuam se mund të konkurrojmë”, u shpreh kapiteni i Barcelonës.

Braziliani foli edhe për gjendjen e tij fizike, pasi është rikthyer së fundmi nga lëndimi.

“Kam më pak se një javë që stërvitem. Ishte planifikuar që të luaja më pak minuta. E përfundova ndeshjen duke u ndier mirë dhe i fortë, por duhet të vazhdoj të përmirësohem fizikisht”, tha ai.

Në fund, Raphinha u pyet nëse humbja ndaj PSG-së mund të ndikojë në përballjen me Real Madridin, që zhvillohet të dielën.

“Jo, kjo humbje nuk do të ndikojë aspak”, përfundoi ai.