Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, thotë se Republika e Kosovës është e bekuar që e ka mbështetjen e aleatëve si SHBA-ja, Gjermania dhe Britania e Madhe për krijimin e Ushtrisë. Ajo thotë se pas krijimit të Ushtrisë së Kosovës, të gjithë qytetarët e Kosovës do të jenë më të sigurt dhe u ka bërë thirrje edhe qytetarëve serb që të behën pjesë e Ushtrisë së Kosovës.
Osmani thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës në seancën e nesërme do të jap përkrahjen e plotë për miratimin e tre ligjeve për transformimin e FSK-së në Ushtri, duke e cilësuar ditën e nesërme si historike për Republikën e Kosovës.
Në një prononcim për Gazetën Express, Osmani ka folur edhe rreth deklarimeve të bëra ditë më parë nga Sekretari Gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke thënë se krijimi i ushtrisë së Kosovës është një hap krejtësisht i natyrshëm, dhe se Kosova e meriton të ketë ushtrinë e vet si një prej popujve më pro NATO në botë.
“Qysh në vitin 2016, NATO ka konstatuar se FSK-ja ka arritur të gjitha kapacitetet operacionale. Pra, hapi i transformimit të FSK-së është krejtësisht i natyrshëm dhe hap që e meriton populli i Kosovës, si populli më pro-NATO në botë dhe në veçanti vajzat e djemtë që shërbejnë në FSK. Besoj që gradualisht të gjitha shtetet anëtare të NATO-s do të binden për kontributin që ushtria jonë do të jep për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Kosova është e bekuar që ka përkrahjen e shtetit më të fuqishëm në NATO, pra të SHBA-ve, dhe të shteteve të tjera të fuqishme si Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar”, ka thënë deputetja e LDK-së për Express.
Osmani ka thënë se Lidhje Demokratike e Kosovës do të përkrahë plotësisht nesër transformimin e FSK-së në Ushtri, duke e cilësuar këtë si një moment historik.
“LDK I jep përkrahje të plotë procesit të transformimit të FSK-së, duke konsideruar si moment historik për sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë, pavarësisht etnisë, dhe për paqen e sigurinë në tërë rajonin tonë. Qysh në pjesën e parë të vitit 2016 pata deklaruar në Kuvend se transformimi I FSK-së duhet të procedohet me ligj. Më vjen mirë që edhe skeptikët e atëhershëm brenda Kuvendit të Kosovës tani pajtohen për këtë hap dhe kemi një unanimitet e consensus të plotë, ashtu siç i ka hije një vendit në rast të tilla”, është shprehur ajo.
Sa i përket mundësisë së tensionimit të situatës në veri të endit gjatë ditës së nesërme, Osmani thotë që të gjithë qytetarët e Kosovës do të jenë më të sigurt pas krijimit të Ushtrisë së Kosovës. Ajo thotë që Vucici duhet të mos i përdor politikisht qytetarët serb të Kosovës, dhe t’i lejojë të jetojnë të sigurt në shtetin e tyre, Republikën e Kosovës.
“Thirrja ime për qytetarët që e mirëpresin këtë vendim është që të festojnë me dinjitet, ashtu siç kanë bërë gjithnjë në momente të tilla vendimtare. Ndërkaq për qytetarët serb, kam mesazhin e njejtë që kasha edhe par një kohe në seancë: nga nesër ata do të jenë edhe më të sigurt në Kosovë. Ushtria e Kosovës do të kujdeset për sigurinë e tyre ashtu si për secilin qytetar në Kosovë. Serbia dhe Vucici tepër gjatë i kanë mbajtur qytetarët tanë serb peng të ëndrrave që vazohen në logjikën e shekullit 19. Qytetarët serb në Kosovë meritojnë të lihen të qetë e të sigurt në shtetin e tyre, Republikën e Kosovës, dhe po këtu ta ndërtojnë të ardhmen e tyre pa ndërhyrje nga jashtë, përfshirë edhe duke u bërë pjesëtarë të Ushtrisë së Kosovës. Ushtria është një shtyllë e shtetit që do të kontribuojë në këtë drejtim. Prandaj nuk ka asnjë arsye për tensionim të situatës. Nesër ka arsye vetëm për festë të dinjitetshme”, ka përfunduar deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, në një prononcim për Gazetën Express.
Nesër Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet për të votuar tri ligjet të cilat do ta bëjnë FSK-në, Ushtri të Republikës së Kosovës. Për këtë i gjithë faktori politik Kosovar është unik, përveç Listës Srspska të cilët dirigjohen nga Beogradi e që janë kundër krijimit të Ushtrisë.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnet, sot edhe një herë ka thënë se krijimi i Ushtrisë së Kosovës është një ditë historike për Kosovën. Ai ka përsëritur mbështetjen e plotë të SHBA-së për këtë proces.
Edhe admiral I NATO-s, James Fogo, ka thëën se krijimi i Ushtrisë së Kosovës është një e drejt sovrane.