Ndonëse Maqedonia ka njohur Kosovën shtet dhe Kuvendi i Republikës së Maqedonisë ka miratuar rezolutë për marrëdhëniet e Republikës së Maqedonisë me Kosovën, deputetët e Aleancës për Shqiptarët në pajtim me Rregulloren për punën e Kuvendit, kanë parashtruar amendament përmes të cilit kërkojnë që në Ligjin Kushtetues, krahas shteteve tjera me të cilat kufizohet Maqedonia, të shtohet edhe Republika e Kosovës.
Amendament
Pas Nenit 1 shtohet një Nen i ri, Neni 1-A në të cilin thuhet:
Neni 1-A
Kufiri shtetëror i Republikës së Maqedonisë dhe kufiri i saj i përhershëm me Republikën e Shqipërisë, Republikën e Bullgarisë, Republikën e Greqisë, Republika e Serbisë dhe Republika e Kosovës.
Në vij të ndryshimeve kushtetuese deputetët e Aleancës për Shqiptarët kanë propozuar edhe një amendament tjetër i cili ka të bëj me termin “qytetarët maqedonas”. Nga kjo parti përmes amendamentit të propozuar kërkojnë që në Kushtetutë termi “qytetarët maqedonas” të ndërrohet me termin qytetarët.
Amendament
Në Nenin 2 paragrafi 2 fjalët “qytetarët maqedonas” ndërrohet me “qytetarët”
Përmes këtyre ndryshimeve sipas deputetëve të Aleancës do të vije në shprehje barazia e të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Në Ligjin aktual kushtetues Maqedonia nuk e njeh Kosovën si shtet fqinj ndërsa Serbinë po edhe pse aso kohe Serbia kishte statusin e federatës jugosllave
Ndryshe debati mbi ndryshimet kushtetuese ndonëse ishte i paraparë të mbahet gjatë ditës së Hënë, për shkak të vdekjes së kryetarit të Komunës së Ohrit, është shtyrë për të martën./Alsat/