Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk ka pritur në takim presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren serbe Ana Bërnabiq.
Sot në Bruksel, presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk ka takuar presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren serbe Ana Bërnabiq, transmeton lajmi.net.
Siç bëhet e ditur në njoftimin për media të Presidencës serbe, në këtë takim u diskutua për situatën në rajon, siç thuhet masat e paligjshme të Kosovës si dhe integrimi evropian i Serbisë.
Presidenti Vuçiq, në këtë takim ka theksuar se Serbia mbështet fuqishëm dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe beson se bisedimet janë e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e hapura dhe për të ruajtur stabilitetin rajonal, transmeton lajmi.net.
Megjithatë Vuçiq theksoi se dialogu me Kosovën është bllokuar për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës prej 100 për qind për mallrat e Serbisë, vendim këtë që Vuçiq vazhdon ta quaj të paligjshëm dhe në kundërshtim me marrëveshjen e CEFTA-s.
Sipas Vuçiqit, po ashtu dialogu është bllokuar për shkak të miratimit të ligjeve që mundësojnë krijimin e Ushtrisë së Kosovës, e që sipas presidentit serb, edhe këto ligje janë në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Serbia është e përkushtuar që të përmirësojë bashkëpunimin rajonal dhe të angazhohet për të kontribuar në këtë qëllim. Parakushti për zbatimin e suksesshëm dhe përmirësimin e bashkëpunimit rajonal është respektimi i rreptë i marrëveshjeve të arritura në kuadër të bashkëpunimit nga të gjithë pjesëmarrësit në rajon. Dialogu do të vazhdojë vetëm atëherë kur Kosova të krijojë kushtet, pra ta tërheq krejtësisht vendimin e paligjshëm dhe të paarsyeshëm”, ka thënë Vuçiq, transmeton më tutje lajmi.net.
Në anën tjetër presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, ka përkrahur qëndrimin e Serbisë për marrëdhëniet me Kosovën.
Pas takimit me Donald Tusk, Vuçiç do të marrë pjesë në një drekë të përbashkët të liderëve të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, e që në këtë takim do të marrë pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Ndërkaq siç bëjnë të ditur mediat serbe, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, do të zhvillojë një takim me presidentin e Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker dhe komisionerin e Tregtisë Cecilia Malmstrom.