Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka folur para gazetarëve, pas takimit që pati me shefen e BE-së, Federica Mogherini dhe liderët e Ballkanit Perëndimor.
Thaçi njoftoi se në takim u diskutuan të gjitha brengat dhe problemet e shteteve të rajonit, sidomos çështja e dialogut të Kosovës me Serbinë, liberalizimi i vizave, etj, raporton Indeksonline.
Sipas Thaçit, të gjitha shtetet mbështesin arritjen e një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë, e që do të përfundonte me njohjen reciproke mes dy vendeve.
Më poshtë fjalimi i Thaçit:
Vlerësoj se ishte një takim i mirë, falendëroj Moghernin për organizimin e këtij takimi dhe mundësinë që liderët e Ballkanit Perëndimor të diskutojnë për progresin e arritur, nevojat që kemi para nesh dhe vizionin tonë për vitin e ardhëm dhe të tjerat në vijim.
Vlerësoj se rajoni ka pasur suksesin solid, theksova dëshpërimin e madh që ekziston në Kosovë sa i përket shtyrjes së liberalizimit të vizave nga shtetet anëtare të BE-së, por Kosova nuk ka tjetër alternativë pos të lëviz drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Gjithashtu ky vakuum që mund krijohet dhe të shfrytëzohet prej të tjerëve që nuk i duan vlerat standarde evropiane, por do të punojmë të gjithë së bashku si spektër politik, shoqëria civile, mediat dhe të sqarohet edhe më tepër ky proces.
Kosova ka kryer obligimet e veta, tani Bashkimi Evropian, shtetet e saj duhet të marrin vendimin në muajt e ardhshëm, vlerësoj se në të ardhmen e afër do të ndodh ky vendim, ndërsa sa i përket çështjeve tjera, në veçanti raporteve nderfqinjësore, Kosova ka ndërtuar raporte të shkëlqyera me Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi.
Ishte inkurajuese mbështetja e plotë e gjithë lidershipit të rajonit për arritjen e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë sa i përket emrit.
U përshëndet edhe njëherë në fund të këtij viti votimi nga Parlamenti i Kosovës për demarkacionin Kosovë-Mali i Zi, që ka hapur një perspektivë të re të marrëdhënieve tona shumë të mira .
Sa i përket çështjes së mundësisë për arritjen e marrëveshjes finale gjithëpërfshirëse me njohje reciproke me Serbinë është inkurajues fakti se të gjithë liderët e rajonit pa dallim mbështesin e Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshje duke konkluduar se një gjë e tillë do sjell më shumë paqe dhe fryme evropiane dhe do përshpejtojnë proceset për Kosovën dhe Serbinë.
Besoj dhe shpresojë se do të punojmë se bashku me ekipin negociator, shoqërinë civile që javën dhe muajt e ardhëm të arrihet një përfundim për marrëveshje, në mënyrë që menjëherë të pasoj njohja nga pesë vendet e BE-së.
Nëse ka pasur hezitime para pak muajsh, sot të gjithë janë unik, edhe BE, edhe SHBA edhe tjerat shtete për dialogun me Serbinë.
Shpresoj dhe besoj marrëveshje mund të arrihet në të ardhmen e afërt, ky mobilizim i BE dhe SHBA-ve është mesazhi më i mirë se ne duhet të punojmë bashkërisht, që ekipi negociator të filloj punën menjëherë, të komunikoj me qytetarët ,të kemi një proces të drejt dhe transparent.
Letra e Trumpit është shpresë dhe besim për institucionet e vendit. Letra e Trumpit është zëri i Amerikës, është mbështetja e plotë për Kosovën dhe rajonin, nëse dikush ka pasur deri tani hezitim për rolin e Amerikës, kjo tregon se SHBA janë të involvuara në arritjen e një marrëveshje me Serbinë.
Tani janë festat e fundvitit dhe nuk pres që të ketë takime tjera para fillimit të vitit të ardhshëm.
Kemi diskutuar për të gjitha çështjet në rajon, mundësitë kanë qenë të limituara, por problematika që janë në vendet tona do të mundohemi ti zgjidhim.