Kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë, Xhemajl Selmani ka paralajmëruar se mund të ketë pasoja të mëdha për shtetin e Kosovës nëse nuk plotësohen kërkesat e mjekëve për rritje pagash.
Selmani ka deklaruar se Qeveria nuk ka asnjë vizion për rritjen e pagave të mjekëve, e thekson se gjendja është alarmante.
Ai ka thënë gjithashtu se Qeveria nuk ka mbajtur asnjë premtim, e mjekët janë të mashtruar.
“Përafërsisht ka një vit që kemi dialoguar me instancat e Qeverisë, nga ministri e edhe me deputetët. E kemi rrumbullakuar aktivitetin karshi institucioneve dhe me Ligjin për Pagat kemi pritur të rregullohen problemet që kemi pasur e kjo nuk ka ndodhur. Nesër do ta kemi takimin dhe do të marrim vendim se si do të veprojmë më tutje, uroj që të alarmohen politikanët pasi gjendja është e rëndë. Aktualisht kemi kuptuar që nuk ka fare vizion shteti se si do të rriten pagat. Premtimi kishte qenë se rritja do të bëhet në janar e me 1 shkurt do ta marrim pagat me rritje. E kemi kuptuar se ligji për pagat tek më 2020 mund të fillojë implementimin. Kemi qenë edhe të mashtruar, frustrimi është shumë i madh, e sipas ligjit duket se s’do të ketë rritje të pagave”, ka thënë Selmani në KTV.
Ai thotë se kanë propozuar që infermierët me përvojë të marrin titullin profesionist.
“Kemi propozuar që secili infermier që ka më tepër se dhjetë vjet përvojë pune të merr titull profesional. Kemi propozuar të ketë rangim tjetër. Komisioni parlamentar për Shëndetësi ka pranuar propozimin tonë. Më nuk ka kohë që të miratohet e le më të implementohet. Kërkesa e jonë është që të implementohet rritja e pagave nga janari”, ka thënë ai.
Selmani ka konfirmuar se takimi është në nivel kombëtar dhe se do të merren vendime, pasi shqetësimet janë të mëdha.
“Ndoshta do të ketë kërkesa që do të shkelen edhe ligjet. Realisht para çdo greve kemi kërkuar mirëkuptimin e pacientëve, jemi munduar maksimalisht që ta ruajmë pacientin dhe shërbimet të mos iu mungojnë, por në rastin konkret ne po luftojmë edhe për rritjen e cilësisë e kjo është në mirë të popullatës”, ka shtuar ai.
Selmani ka paralajmëruar se mund të ketë përshkallëzim të situatës nëse nuk plotësohen kërkesat e mjekëve.
“Nëse nuk reflekton Qeveria karshi kërkesave tona do të manifestojmë në të gjitha format e lejuara me ligj, por ka mundësi që të eskolojmë edhe në masa radikale e të dridhet edhe shteti. Pasi nëse dalim në rrugë mund të përfshihen edhe instanca të tjera dhe mund të ketë trazira. Kemi kërkesa që edhe në emergjencë të ndalet puna. Duhet të alarmohen qeveritarët pasi nëse ndodh kjo atëherë gjendja është shumë e rëndë”, ka thënë Selmani.
Ai ka shtuar se rrugëdalja e vetmja është kthimi i dinjitetet për mjekët dhe mirëqenies së tyre.
“Ne i dimë pasojat ligjore, dhe duke e pasur parasysh në kushtet që po punojmë dhe jo vetëm që jemi të rrezikuar fizikisht por jemi të rrezikuar edhe për shkelje profesionale për shkak të improvizimeve që bëjmë. Shëndetësia jonë ende nuk ka protokolle, dhe prapë se prapë punojmë me ato që kemi parë. Pritja nuk është e vogël, është më tepër se një vit. Gjithmonë edhe hyrja edhe dalja nga greva ka qenë për shkak të shërbimit për pacientin. E kemi marrë parasysh se dikush vuan nëse ne hyjmë në grevë. I ka ardhur fundi i mashtrimeve të qeveritarëve tanë, i kemi shterë të gjithë dialogun me kërkesat tona”, ka thënë ai.
Nëse krahasohemi me rajonin ai thotë se kemi shumë mangësi edhe për infermierët edhe për mjekët,
“Ne jemi të mbingarkuar me punët. Ne kemi 13 mijë punonjës shëndetësor, ndoshta me atë privat rreth 14 mijë punonjës. Në Mal të Zi është mbi 1500 euro për mjekun specialist. E te ne mjeku specialist e ka 650 euro. E një shofer atje e ka rrogën sa tonën. Ministria ka reaguar pozitivisht duke e përkrahur kërkesat tona, e presim që të ketë reagim pozitiv”, ka thënë ai.