Pesë persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës të cilët merreshin me organizimin e fajdeve, detyrimeve dhe kërcënimeve të ndryshme.
Ky grup kriminal i mirë organizuar sipas Policisë së Kosovës, gjegjësisht Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar, pas hetimeve të kryera për një periudhë të gjatë lidhur me veprimtarinë e tyre, sot kanë ndërmarrë aksionin policor të koduar me emrin “UNION” për arrestimin e tyre si dhe janë kontrolluar edhe shtëpitë e tyre.
Personat e arrestuar janë të gjithë meshkuj shqiptarë shtetas të Kosovës me incialët D. B. lindur me 1968, Rr. B. lindur me 1995, I. S. lindur me 1988, L. B. lindur me 1978 dhe B. G. lindur me 1981, njofton Policia e Kosovës, transmeton Gazeta Alo.
Sipas njoftimit, operacioni policor është kryer në bashkëpunim të ngushtë me prokurorin e rastit dhe në bazë të urdhëresës së lëshuar nga gjykata kompetente. Po ashtu operacioni ishte i përkrahur edhe nga njësitë elite të Policisë (Njësia Speciale Operative, Njësia e Reagimit të Shpejtë dhe Teknika Kriminalistike), Dogana e Kosovës dhe ATK-ja.
Po ashtu gjatë këtij operacioni policor janë sekuestruar si prova materiale që dyshohet se rrjedhin nga veprat penale: para të gatshme 16.000,00 (gjashtëmbëdhjetë mijë euro); 5 (pesë) vetura; 1 (një) motor udhëtarësh; 10 (dhjetë) telefona celularë; 1 (një) laptop; 2 (dy) DVR; 12 (dymbëdhjetë) fishekë kal. të ndryshëm; 4 (katër) shtëpiza kompjuteri; 4 (aparate) lojëra të fatit; dokumente tjera të cilat mund të përdoren për vazhdim të procedurës penale.
Bazuar në urdhëresën e prokurorit, personat e dyshuar dërgohen në mbajtje policore për vazhdim të procedurës së mëtejme. /GazetaAlo/