Duket se Gianluigi Buffon nuk ka ndërmend të tërhiqet as në qershorin e ardhshëm.
Sipas mediave italiane, portieri i Paris Saint-Germain, do të firmosë në ditët e ardhshme rinovimin e kontratës me francezët, që e lidhte me klubin deri në fund të sezonit.
Në rrjetin social Twitter, kampionët e Francës kanë pasqyruar një deklaratë të Buffon, ku italiani deklaron se PSG do të jetë ekipi i tij i fundit dhe ai do ta mbyllë karrierën në një skuadër të niveleve të larta, ashtu siç e ka nisur. Ky është klubi i tretë në karrierën e 40-vjeçarit, pas përvojave me Parmën dhe Juventus, ku dhe shkëlqeu me pritjet e tij.
Ndërkohë, është tashmë zyrtare që PSG ka rinovuar marrëveshjen me një tjetër portier, Alphonse Areola, deri në vitin 2023. Ky lajm është konfirmuar nga rrjetet sociale të parizienëve. Francezi është ai që po alternohet me Buffon gjatë ndeshjeve të këtij sezoni, por kontrata e tij e mëparshme përfundonte në qershor.
Flitej gjithashtu se kishte një interesim të Napolit për Areolan, por 25-vjeçari vendosi të rinovojë me kryeqytetasit edhe për 4 vite e gjysmë. Një nga personat më të kënaqur për këtë marrëveshje me siguri është edhe Thomas Tuchel, i cili jo pak herë nuk i ka kursyer lëvdatat për portierin e ri francez.