Një ambient më i mirë u mundësua në shtëpinë e pleqëve në Prishtinë nga investimet nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Përurimin e këtyre investimeve e bëri zëvendësministri Vesel Makolli i cili tha se rezidentët e kësaj shtëpie nuk guxojnë të lihen në harresë.
“Rezidentët e kësaj shtëpie nuk do të lihen në harresë dhe se institucionet do të përkujdesen gjithnjë edhe në të ardhmen për gjeneratën që kontribuoi shumë për vendin tonë”, ka thënë Makolli, transmeton Gazeta Alo.
Ai duke vlerësuar punën e bërë për pleqtë ka thënë se që të përkujdeset dikush për ne nesër, duhet që ne këtë ta bëjmë sot.
”Duart që ndihmojnë janë më të shenjta se buzët që luten. Që të përkujdeset dikush për ne, duhet që ne sot të përkujdesemi për këta banues të kësaj shtëpie. Është kënaqësi kur njeriu e përjeton jetën, sepse jo të gjithë e përjetojnë moshën e tretë” tha ai.
Makolli ka falënderuar të gjithë ata që në mënyra të ndryshme po kontribuojnë në mirëqenien dhe rehatinë e këtyre njerëzve, të cilët përveç kontributit material, më së shumti kanë nevojë që të jemi sa më afër tyre dhe të mos ndihen të braktisur. /GazetaAlo/