Fjalë Kyçe

A do të jap dorëheqje nga VV? Flet deputeti Fatmir Humolli

A do të jap dorëheqje nga VV? Flet deputeti Fatmir Humolli

Sot në Kuvendin e Kosovës është votuar në lexim të parë Projektligji për Rritjen e Pagës Minimale.

Ky Projektligj u votua nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Serbe, ndërsa opozita e kundërshtuan.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, ishte deklaruar kundër këtij Projektligji edhe më herët, pasi që kishte kërkuar përfshirjen e veteranëve të luftës së UÇK-së në të, që nënkuptonte rritjen e pensioneve të veteranëve po aq sa të rrogës minimale.

Lajmi.net ka kontaktuar me deputetin Humolli, i cili ka deklaruar se po pret reflektim nga Lëvizja Vetëvendosje në leximin e dytë të Projektligjit për Rritjen e Pagës Minimale.

Humolli është pyetur nëse ai do jap dorëheqje nga partia nëse Projektligji që la jashtë rritjes veteranët kalon edhe në lexim të dytë në Kuvend.

“Unë jam zgjedh deputet pa qenë anëtar i LVV, si rezultat i grupit tim të organizuar me të cilët bashkëpunojmë dhe me ndihmën e të cilëve unë sot jam në Kuvend. Andaj, ne kemi një demokraci të brendshme si grup dhe vendimet i marrim në konsultim me njëri-tjetrin. Ne po presim reflektim për leximin e dytë dhe gjithsesi që në koordinim me grupin tim do të vendosim konform situatës”, ka thënë Humolli.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që deputeti Humolli shpreh pakënaqësitë me partinë e tij.

Ditë më parë ai kishte paralajmëruar largimin nga Vetëvendosje, pasi që kishte kritikuar qasjen e institucioneve karshi sindikatave, ku ka deklaruar se “nëse këta devijojnë prej rrugës, nuk mund të shkoj në rrugë të gabuar”.