Fjalë Kyçe

A do të ketë efekt ashpërsimi i gjobave tek shoferët, flet eksperti i komunikacionit Bekim Ahmeti

A do të ketë efekt ashpërsimi i gjobave tek shoferët, flet eksperti i komunikacionit Bekim Ahmeti

Më 3 prill në Kosovë ka hyrë në fuqi Ligji i ri për trafikun rrugor. Me ligjin e ri janë ashpërsuar gjobat për shoferët e këmbësorët që nuk respektojnë rregullat e komunikacionit.

Gjobat për shkelësit e rregullave në komunikacion janë nga 20 deri në 6 mijë euro. E, që nga hyrja në fuqi të këtij ligji, policia në vazhdimësi po njofton për dënimet që po shqipton për disa shoferë, madje së fundmi ka njoftuar edhe për disa raste ku ka konfiskuar përkohësisht vetura, ku shoferët janë hasur në rrugë, derisa ndaj tyre ka pasur një masë ndalimi për vozitje.

Me Ligjin e ri për trafikun rrugor synohet edhe ulja e aksidenteve në vendin tonë, ku në vitet e fundit ka shënuar ngritje e shumë prej tyre edhe kanë përfunduar me fatalitet.

Pesë ditë nga hyrja në fuqi të këtij ligji, eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti, thotë se do të ishte shumë më mirë nëse policia investon në intelgjencë artificiale.

Eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti në një deklaratë për Telegrafin, vlerëson se zbatimi i këtij ligji do të ishte më efikas nëse do të ishte e instaluar inteligjencën artificiale, ku përfshihen kamerat, radarëtt mobil dhe statik.

“Ndikim do të ketë, por efekt nuk mendoj që do të ketë për arsye që policia e Kosovës nuk ka mundësi ta mbuloi tërë territorin e Kosovës në mënyrë të kënaqshme. Këto ankesa i kanë pasur vetë eprorët e policisë së Kosovës. Do të ishin efektive gjobat sikur Ministria dhe Komunat (Shteti), të instaloi inteligjencën artificiale (kamerat, radarët mobil dhe statike) e pastaj nëse nuk vërehet efekti te rritet çmimi i gjobave”, është shprehur ai.

Ahmeti ka thënë më tej se policia është shumë kohë më parë të investojë në inteligjencën artificiale.

“Me inteligjencën artificiale ish dashtë moti të intervenohet, kur dihet mirë që numri i aksidenteve në komunikacionin rrugor ka pas rritje çdo vit. Nevojat për të intervenuar janë emergjente”, shtoi ndër tjera ai.

Me Ligjin e ri të Trafikut, janë rikthyer edhe kushtëzimet, ku vetura nuk mund të regjistrohet pa u paguar të gjitha dënimet, e një gjë e tillë është e mirë së ardhur sipas ekspertit Ahmeti.

“Sa i përket kthimit të ligjit që nëse nuk i pagune të gjitha gjobat në komunikacionin rrugor nuk mund ta regjistrosh automjetin, është më së i mirëseardhur”, ka potencuar ai.

Më poshtë mund t’i shihni disa nga risitë në Ligjin për rregullat në trafik, gjobat e paraparë dhe masat tjera:

Shenjat ndriçuese të trafikut

Dënohet për kundërvajtje me gjobë prej 150 euro, shoferi i cili nuk ndalet në shenjën e dritës së kuqe në vendin ku trafiku rregullohet me semaforë. Atij i shqiptohet edhe masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej 3 muajsh, si dhe 3 pikë negative. Identifikimi dhe dëshmia bëhen përmes pajisjes apo aparatit përkatës, si dhe nga persona të autorizuar.

Këmbësori i cili nuk ndalet në shenjën e dritës së kuqe në vendin ku trafiku rregullohet me semaforë, dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 50 euro.

Pajisjet dhe pajimet për shënim të rrugëve

1. Skajet e rrugës shënohen me sinjale drite dhe materie retroreflektuese, ndërsa kufizuesit e rrugës shënohen me elemente të pajisura me materie reflektuese dhe me shtylla ndriçuese.

2. Kufizuesit e rrugës të cilët janë të vendosur në rrugë nga ana e djathtë në drejtim të lëvizjes janë me ngjyrë të kuqe, ndërsa në anën e majtë me ngjyrë të bardhë.

3. Nëse kulmet e ishujve të këmbësorëve, ishujt për orientim të trafikut dhe objektet e tjera në rrugë, nuk janë të dukshme natën sa duhet, ato duhet të shënohen me drita, me materie retroreflektuese ose me materie reflektuese me ngjyrë të verdhë.

4. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 2000 deri në 6000 euro, personi i cili është përgjegjës për vendosjen ose mirëmbajtjen e kulmeve të ishujve të këmbësorëve, të ishujve për orientimin të trafikut ose të objekteve të tjera në rrugë, të cilat nuk i plotësojnë kushtet e përcaktuara në këtë nen.

Shpejtësia e lëvizjes brenda vendbanimeve

Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 500 euro, shoferi i cili brenda vendbanimit lëviz me mjet me shpejtësi mbi 100 km/h mbi shpejtësinë e lejuar, të përcaktuar me rregulla të përgjithshme ose me shenjë të trafikut. Përveç gjobës, atij i shqiptohet masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej 1 viti, si dhe i shqiptohen 5 pikë negative.

Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 400 euro, shoferi i cili brenda vendbanimit lëviz me mjet me shpejtësi prej mbi 70 km/h deri në 100 km/h mbi shpejtësinë e lejuar, të përcaktuar me rregulla të përgjithshme ose me shenjë të trafikut. Përveç gjobës, atij i shqiptohet masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik 9 muaj si dhe i shqiptohen 4 pikë negative.

Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 300 euro, shoferi i cili brenda vendbanimit lëviz me mjet me shpejtësi prej mbi 50 km/h deri në 70 km/h mbi shpejtësinë e lejuar, të përcaktuar me rregulla të përgjithshme ose me shenjë të trafikut. Përveç gjobës, atij i shqiptohet masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik 6 muaj, si dhe i shqiptohen 3 pikë negative.

Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 200 euro, shoferi i cili brenda vendbanimit lëviz me mjet me shpejtësi prej mbi 30 km/h deri në 50 km/h mbi shpejtësinë e lejuar, të përcaktuar me rregulla të përgjithshme ose me shenjë të trafikut. Përveç gjobës, atij i shqiptohet masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik 3 muaj, si dhe i shqiptohen 3 pikë negative.

Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 60 euro, shoferi i cili brenda vendbanimit lëviz me mjet me shpejtësi prej mbi 20 km/h deri në 30 km/h mbi shpejtësinë e lejuar, të përcaktuar me rregulla të përgjithshme ose me shenjë të trafikut.

Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 40 euro, shoferi i cili brenda vendbanimit lëviz me mjet me shpejtësi prej mbi 10 km/h deri në 20 km/h mbi shpejtësinë e lejuar, të përcaktuar me rregulla të përgjithshme ose me shenjë të trafikut.

Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 20 euro, shoferi i cili brenda vendbanimit lëviz me mjet me shpejtësi prej mbi 5 km/h deri në 10 km/h mbi shpejtësinë e lejuar, të përcaktuar me rregulla të përgjithshme ose me shenjë të trafikut.

Kalimi i rrugës nga ana e këmbësorëve

Këmbësori gjatë kalimit të rrugës obligohet që të ketë kujdes të posaçëm dhe gjithherë ta shfrytëzojë vendkalimin e këmbësorëve atëherë kur ai ekziston.

Këmbësori është i detyruar ta kalojë rrugën qarkulluese, shiritin ose shtegun për biçikleta me kujdes të veçantë duke kaluar rrugës më të shkurtër dhe duke u vërtetuar para se ta fillojë kalimin e rrugës se këtë mund ta bëjë në mënyrë të sigurt.

Gjatë kalimit të rrugës, të shiritit apo të shtegut të biçikletave ose të binarëve, këmbësorit nuk i lejohet përdorimi i telefonit mobil, shfrytëzimi i dëgjueseve në veshë apo i pajisjeve të tjera të ngjashme që mund ta hutojnë.

Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 50 euro, këmbësori i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni

Përdorimi i rripit të sigurisë

1. Në automjetin për udhëtarë/veturë dhe në mjetin transportues shoferi dhe të gjithë personat të cilët gjenden në mjet duhet t’i përdorin rripat e sigurisë, siç e parasheh prodhuesi i atij automjeti.

2. Nëse personi i mitur i cili transportohet në mjet nuk e përdor rripin e sigurisë, përgjegjësia bie mbi shoferin e mjetit, ndërsa nëse personi i moshës madhore nuk e përdor rripin e sigurisë, përgjegjësinë për këtë e mban vetë personi.

3. Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 150 euro, shoferi i cili bart persona të mitur, respektivisht personi i moshës madhore, i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Ligjin e plotë mund ta gjeni duke klikuar KËTU./Telegrafi/