Agjenti i mirënjohur i futbollit, Jorge Mendes, ka mohuar përmes një deklarate largimin e mundshëm të Jose Mourinho (klient i tij) nga Manchester United. Përkundrazi, ai siguroi se trajneri portugez është shumë i lumtur në “Old Trafford”.
“Ka pasur shumë thashetheme për një largim të Mourinhos nga Manchester United, por asnjë të vërtetë nuk ka në këtë mes. Jose është shumë i lumtur te Manchester United dhe klubi, gjithashtu, është shumë i lumtur me të. Ai ka një kontratë afatgjatë dhe është tërësisht i angazhuar me ekipin, sepse do të ndërtojë një projekt solid fitues”, tha Mendes.
Zërat rreth largimit të tij janë përforcuar nga situata e keqe e “Djajve të Kuq” në Premier Ligë, teksa ata e shkojnë veten në vendin e tetë në klasifikimin aktual, me 18 pikë pas liderit, Manchester City. Mediat britanike e kanë vënë Mourinhon në orbitën e Real Madridit, sidomos pas shkarkimit të Julen Lopetegui, ekipit që ai ka trajnuar nga viti 2010 deri më 2013.
Megjithatë, Mourinho, për momentin, ka një kontratë me Manchester Unitedin deri në vitin 2020, pasi ka rinovuar në janar të këtij viti.