Fjalë Kyçe

A do të mungojë Patrik Schick në ndeshje me Kosovën? Përgjigjet trajneri i Çekisë!

A do të mungojë Patrik Schick në ndeshje me Kosovën? Përgjigjet trajneri i Çekisë!

Patrik Schick ka përfunduar jashtë listës së Republikës Çeke për ndeshjet e nëntorit ndaj Kosovës dhe Bullgarisë.

Por, sulmuesi çek gjendet në listën e rezervistëve. Megjithatë, trajneri Jaroslav Silhavy nuk beson se ylli i skuadrës do të jetë gati për përballjet e 14 e 17 nëntorit

Patrik Schick nuk është përfshirë në listën e futbollistëve të ftuar nga trajneri Jaroslav Silhavy për ndeshjet e nëntorit ndaj Kosovës dhe Bullgarisë, të vlefshme për kualifikimet e Euro 2020, shkruan Gazeta Express.

Mirëpo, sulmuesi i rrezikshëm çek ka përfunduar në listën e rezervistëve, respektivisht të pritjes.

Futbollisti i Leipzigut është i lënduar dhe këto ditë ka nisur të ushtrojë, derisa ka mbetur jashtë ekipit për angazhimin e mesjavës në Ligën e Kampionëve.

Trajneri çek nuk beson se Schick do të jetë i aftë për të luajtur kundër “Dardanëve”, por thotë se do ta shikojë me kujdes situatën dhe përparimin eventual të lojtarit në ditët në vazhdim.

“Kam biseduar me të. Ai i ka nisur ushtrimet individuale, por nuk është përfshirë me ekipin dhe nuk ka udhëtuar për ndeshjen e Ligës së Kampionëve. E përfshiva atë në ekipin e rezervistëve, por ka mundësi shumë të vogla që ai të shërohet dhe të luajë në ndeshjet me Kosovën dhe Bullgarinë”, ka thënë Silhavy pasi e publikoi listën e futbollistëve për ndeshjet e 14 dhe 17 nëntorit.

Schick ka qenë protagonist në ndeshjen e parë ndërmjet Kosovës dhe Republikës Çeke pasi e kishte shënuar golin e vetëm të çekëve në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë në muajin shtator, të cilën e fitonin “Dardanët” 2:1.

Leipzigu nga ana e tij ka kërkuar që Schick të mos aktivizohet në ndeshjen me Kosovën duke aluduar se shëndeti është mbi të gjitha dhe se do të ishte rrezikim nëse lojtari luan për Çekinë në ndeshjet e nëntorit.