Fjalë Kyçe

A duhet të shpërndahet Kuvendi i Kosovës?

A duhet të shpërndahet Kuvendi i Kosovës?

Më 22 gusht Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet në seancë plenare, për shpërndarjen e legjislaturës aktuale.

Kështu vendosi në fillim të kësaj jave në mënyrë konsensuale kryesia e Kuvendit në të cilën morën pjesë edhe kryetarët e grupeve parlamentare.

Me vendimin e partive parlamentare duket se janë pajtuar edhe qytetarët të cilët e kanë shprehur qëndrimin e tyre në anketën javore të KosovaPress.

Rreth 1000 lexues të mediumit tonë u përgjigjën në pyetjen “A duhet të shpërndahet Kuvendi i Kosovës?” dhe rezultatet janë dukshëm “pro” kësaj ideje.

750 votues apo 86% janë përgjigjur me “Po” se duhet të shpërndahet Kuvendi.

Kundër idesë për shpërndarjen e Kuvendit kanë dalë 104 votues ose 12%.

Ndërsa, 3% e të anketuarve nuk kanë pasur qëndrim duke u përgjigjur pyetjes me “Nuk e di”.

Ndryshe, deri tek vendimi për thirrjen e seancës për shpërndarjen e Kuvendit erdhi pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili u ftua për intervistim nga Haga.

Më pas, presidenti Hashim Thaçi kërkoi nga kreu i koalicionet PAN, Kadri Veseli, si fitues të zgjedhjeve të propozojnë mandatarin e ri për postin e kryeministrit.

Mirëpo, kjo thirrje u kundërshtua nga Veseli i cili e njoftoi se janë për zgjedhje të reja të cilat pritet të mbahen në fund të muajit shtator ose fillim të tetorit, varësisht nga data që përcakton kreu i shtetit pas mbajtjes së seancës së 22 gushtit.

Ndryshe, në këtë seancë, para shpërndarjes së Kuvendit, pikë e rendit të ditës do të jetë edhe votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare IPA 2018, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.