Fjalë Kyçe

A mori ftesë akoma nga Gjykata Speciale Daut Haradinaj

A mori ftesë akoma nga Gjykata Speciale Daut Haradinaj

Ish-komandanti i UÇK’së, tash deputet i AAK’së, Daut Haradinaj në një prononcim të shkurtë për Gazetën Express ka bërë të ditur se nuk ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale.

Megjithëse emri i tij u përfol në listën e atyre se do të thirren në Hagë nga Specialja, këtë po e demanton tash deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj.

Haradinaj tha shkurtimisht se nuk ka marrë ftesë nga Specialja.

Në këtë fund vit veçse kanë filluar të dalin emrat e parë të personave që janë ftuar nga Gjykata Speciale, e siç ka raportuar në vazhdimësi ekskluzivisht Gazeta Express bëhet fjalë për disa nga fytyrat kyçe të UÇK ‘së.

Tashmë në opinion është bërë i ditur emri i Rrustem Mustafës, Sokol Dobrunës, Nazif Mehmetit e Sami Lushtakut, ndërkaq emrat e dy ushtarëve të thjeshtë për të cilat është në dijeni gazeta, nuk janë zbuluar për opinionin.

Edhe nga Nisma Social Demokrate kanë thënë se lideri i tyre, Fatmir Limaj nuk ka marrë ftesë.

Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura si Gjykata Speciale, janë votuar në Kuvend të Kosovës, në gusht të vitit 2015. Përmes ligjit të veçantë, këto Dhoma të Specializuara u themeluan për të gjykuar disa krime të caktuara të kryera prej 1 janarit 1998 deri më 31 dhjetor 2000, brenda territorit të Kosovës.

Ato u krijuan si pasojë e një raporti të zviceranit Dick Marty, që e paraqiti para Këshillit të Evropës në janar të 2011.

Raporti përmban pretendime për krime të rënda, që supozohet t’i ketë kryer UÇK-ja gjatë dhe menjëherë pas luftës së fundit në Kosovës. Të njëjtat supozime u mbështeten edhe në një libër që e kishte shkruar ish-prokurorja e Tribunalit Special, Carla Del Ponte, tri vjet para se Marty ta hartonte raportin.